Menaxhimi i parasë publike element thelbësor për qeverisje të përgjegjshme

Ekonomi

Menaxhimi i parasë publike element thelbësor për qeverisje të përgjegjshme

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 16:16

Sot në Prizren është organizuar tryezën e diskutimit “Paraja publike si ‘paret e babës’ nga EC Ma Ndryshe .
Panelistë të kësaj tryeze ishin Lulzim Kabashi, nënkryetar i komunës së Prizrenit, Zenel Ahmetaj, koordinator në Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave, Qerkin Morina, përfaqësues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, dhe Naim Cahani nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Elmedina Baxhaku nga EC Ma Ndryshe ka prezantuar raportin periodik të monitorimit të komunës së Prizrenit, në të cilin duke marrë parasysh edhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2013, është konstatuar se zyrtarët komunal nuk kanë treguar ndjeshmëri të duhur për menaxhimin e mirë të parasë publike dhe se në raste të caktuara paratë e komunës i kanë trajtuar si “paret e babës”.
Gjithashtu, Baxhaku ka nënvizuar se fushat si prokurimi, realizimi i buxhetit, inkasimi i të hyrave, subvencionet dhe transferet si dhe evidentimi i pasurive jofinanciare mbeten sfida të paadresuara nga komuna dhe se mungesa e transparencën në menaxhimin e buxhetit komunal ka bërë që këto probleme të trashëgohen nga viti në vit.
Poashtu, ajo ka paraqitur edhe të gjetura tjera nga monitorimi i punës së ekzekutivit, me ç’rast janë gjetur shkelje ligjore apo lëshime të ndryshme procedurale, që duhet të evitohen në mënyrë që qeverisja të realizohet sipas dispozitave ligjore dhe standardeve demokratike.
Në prezantimet e tyre, panelistët reflektuan mbi të gjeturat e raportit dhe ofruan mendimet e tyre për temën e tryezës.
Kurse, nënkryetari Lulzim Kabashi ka theksuar gatishmërinë e komunës për reduktim të shpenzimeve dhe kërkoi denoncim të shkeljeve pranë hetuesisë dhe prokurorisë.
Ndërsa, përfaqësuesi nga ZAP-i, Qerkin Morina, ka shpalosur të gjeturat e Raportit të Auditorit dhe rekomandoi Kuvendin Komunal që të mbaj një seancë të veçantë, ku do të diskutoheshin të gjeturat e këtij raporti.
Në këtë tryezë ka folur edhe Zenel Ahmetaj, i cili i arsyetoi mos realizimin e buxhetit në disa linja për shkak të mos inkasimit të të hyrave vetanake të Komunës së Prizrenit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi nga KDI, Naim Cahanaj prezantoi të gjeturat e KDI-së për Komunën e Prizrenit mbi shpenzimet enorme në disa prej kategorive të buxhetit komunal.

Pjesëmarrësit tjerë nga partitë politike, shoqëria civile dhe mediat, ngritën çështje të ndryshme sa i përket menaxhimit të parasë publike, duke theksuar mungesën e transparencës, borxhet në rritje dhe planifikimin jo të duhur të projekteve kapitale të komunës së Prizrenit.

Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së ekzekutivit do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. A.M

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat