Fermerët shtojnë racat cilësore të gjedheve

Ekonomi

Fermerët shtojnë racat cilësore të gjedheve

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 13:47

Marrja me bujqësi e sidomos me blegtori viteve të fundit është duke u rritur si veprimtari. Krejt kjo po ndodh për shkak të leverdisë, e po ashtu edhe për shkak të përkrahjes që marrin fermerët nga institucionet vendore. Brenda një viti ata marrin 50 euro për çdo krerë të lopëve qumështore e kjo po bën që të rritet edhe numri i blegtorëve në vend, e bashkë me këtë edhe numri i racave që mbajnë fermerët në stallat e tyre.

Përparim Gashi nga Landovica e Prizrenit, i cili merret me blegtori dhe me kultivim të drithërave, thotë se është i kënaqur me punën që bënë. Ai tregon se nuk e ka ndërruar racën e bagëtive pasi që sipas tij raca Simentall është treguar e suksesshme për ka rendimentet e qumështit dhe mishit. “Aktualisht kam 16 lopë qumështore dhe 6 mëshqerra. Të gjitha lopët dhe mëshqerrat janë të racës Simentall janë treguar më të suksesshme dhe nuk e kam ndërruar”, thotë ai.

Fermeri Gashi thekson se kjo racë e gjedhëve është e mirë edhe për rendimente. “Me këtë racë jam i kënaqur shumë, pasi që edhe rendimentet e qumështit janë të mira. Një lopë brena një dite jep prej 15 deri në 20 litra qumësht e po ashtu janë të mira edhe për majmëri”, tha ai.

Përparim Gashi tregon se ka aplikuar për subvencione për lopë dhe dele në Ministrinë e Bujqësisë dhe është në pritje të tyre. “Kam edhe plane për zgjerimin kapaciteteve në stallë si me lopë po ashtu edhe me mëshqerra, por nëse bëjë zgjerime dhe rritje të krerëve të gjedheve do të vazhdojë vetëm me këtë racë”, theksoi Gashi.

Por, ndryshe nga Përparimi, Ramadan Avdyli nga Novobërda ka të përziera racën e lopëve në stallën e tij. Ai tregon për portalin “Ferma Ime”se nga 30 krerë sa ka pasur vitin e kaluar, tash ka 9 krerë, për shkak se ka investuar në blerjen e tokës.

“Tash kam 6 lopë, 3 viça dhe 1 bikë. Dy lopë i kam holshtejn dhe 4 janë simentall. Simentalli është treguar i mirë për majmëri ndërsa këto të racës holshtejn janë treguar më të mira për qumësht”, tha Avdyli.

Ky fermer tregon se ka plane për rritjen e numrit të gjedheve për shkak se ka leverdi nga veprimtaria blegtorale.

Ndryshe tek fermerët hollshtejni është racë dominuese, pasi ka rendimente të larta të qumështit që jep kjo racë e lopëve. Ndryshe kjo racë si më qumështore në botë. Por vlen të theksohet se në Kosovë, racat nuk po ruhen sa duhet po bëhet kryqëzimi i tyre.

E sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, ky institucion përmes programit për mbështetjen direkte të kafshëve për prodhimtarinë e qumështit, ka mbështetur mbarështimin e lopëve qumështore pa dallime racore. E sipas tyre, përpos stimulimit të fermerëve për zhvillimin e prodhimtarisë blegtorale, ky program ka reflektuar pozitivisht edhe në mbajtjen e popullacionit të gjedhit të racës Busha.

Sipas të dhënave në vend janë këto raca autoktone: raca e lopëve Busha me dy tipe të saj: Busha Ilire e Sharrit dhe Busha Ilire e Dukagjini, racat e deleve të Sharrit, delja Bardhoka, Delja e Kosovës, delja Balusha dhe qeni i Sharrit. /FermaIme/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat