Banka e Shqipërisë thyen heshtjen: Janë vjedhur nga magazinat tona, 5 milionë euro

Ekonomi

Banka e Shqipërisë thyen heshtjen: Janë vjedhur nga magazinat tona, 5 milionë euro

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 22:42

Banka e Shqipërisë më në fund del me një deklaratë për ngjarjen e rëndë të vjedhjes në magazinat e saj.

Në deklaratë thuhet se sasia e vjedhur është 713 milionë lekë(rreth 5 milion euro).

DEKLARATA

Sot më datë 29 korrik 2014, në vazhdim të takimit të zhvilluar një javë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi një mbledhje të posaçme ku diskutoi gjetjet e grupeve të punës të ngritura për të analizuar me hollësi ngjarjen e rëndë të përvetësimit të vlerave monetare.

Pasi analizoi me përgjegjshmëri dhe në interes të transparencës dhe informimit të publikut, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludon:

Ka përfunduar procesi i inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare (kartëmonedha) që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, nga e cila rezulton se vlera e monetare e munguar është 713 (shtatëqind e trembëdhjetë) milionë lekë, prej të cilave 143 milionë lekë para e nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar.

Grupet e punës të ngritur enkas për këtë qëllim kanë arritur në konkluzionin se:

- Të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash–i janë hartuar në përputhje të plotë me bazën ligjore që rregullon veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare me të cilat operojnë bankat e tjera qendrore. Procedurat e mirëpërcaktuara në këto akte garantojnë evidencë të saktë kontabël si dhe siguri fizike të vlerave monetare në ruajtje dhe në administrim.

- Infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të cash-it si dhe të ambienteve ku ai magazinohet.

- Inventarizimet dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi në përputhje me bazën rregullative në fuqi. Pavarësisht kësaj, mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve, ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare. Hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale është në proces, ndërkohë që prokuroria, nga ana e saj, është duke kryer hetimet e duhura për të vendosur të gjithë personat përgjegjës para ligjit.

Nënvizojmë se rezervat e parasë cash (thesari për analogji) të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash dhe mjetesh teknologjike të avancuara bëjnë të mundur parandalimin e çdo tentative individuale apo në grup për të aksesuar dhe manipuluar rezervat monetare.

Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre.

Këshilli Mbikëqyrës kërkoi prej departamenteve përkatëse marrjen e masave energjike për korrigjimin e rasteve të shkeljes së procedurave të përcaktuara në aktet rregullative në fuqi. Banka e Shqipërisë garanton publikun se aktiviteti i saj operacional është duke funksionuar normalisht, në përmbushje të detyrimeve për furnizimin e sistemit bankar me likuiditetin e nevojshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat