Punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve do t’u paguhet kompensimi

Ekonomi

Punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve do t’u paguhet kompensimi

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 20:40

Agjencisë kosovare të Privatizimit i shtohet barra që ta paguajë kompensimin edhe të ish-punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve për pagat e viteve 1990-1999. Tashmë ka një vendim për këtë çështje, e në këtë Agjenci thonë se Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje shqyrton pretendimin e secilit parashtrues të kërkesës dhe merr vendime përkatëse, pa sqaruar konkretisht nëse do të bëhet pagesa ose jo.

Rreth 20 milionë euro duhet t`u paguajë Agjencia Kosovare e Privatizimit ish-punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve, në emër të të ardhurave personale për periudhën 1990-1999. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj ish-fabrike, Ramadan Ahmeti, thotë se këtë vendim e ka marrë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe se lajmin për këtë vendim e kanë marrë në media. Kërkesën për kompensim, Ahmeti thotë se e ka bërë edhe në Gjykatën Themelore të Komunës së Lipjanit para afro tre vjetësh.
“Më 20 maj 2014 është marrë vendimi prej dhomës speciale që është aprovuar kompensimi i 690 punëtorëve. Kërkojmë prej AKP-së që ta zbatojë vendimin e gjykatës dhomës speciale, të cilët e ka aprovuar dhe t’ia qesin punëtorëve vlerën prej 20 milionëve, atëherë kur na ka largu regjimi serb prej 90 – 99. D.m.th. kompensimin e duam për këtë periudhë”, ka theksuar Ramadan Ahmeti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve.
Zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi, ka thënë nëpërmjet telefonit se e kanë marrë këtë vendim i cili do të shqyrtohet gjatë procesit të likuidimit të ndërmarrjes.
“Kjo ndërmarrje është në likuidim, ndërsa kërkesat apo interesat e pretenduara të kreditorëve ku bëjnë pjesë edhe kërkesat e punëtorëve, shqyrtohen gjatë procesit të likuidimit nga ana e Autoritetit të Likuidimit të ndërmarrjes. Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrjeje shqyrton pretendimin e secilit parashtrues të kërkesës dhe merr vendime përkatëse, vendime të cilat u dërgohen palëve në adresat e tyre”, ka thënë Kaloshi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat