Studentët e rinj pa pagesë, të tjerët paguajnë 25 euro për semestër

Ekonomi

Studentët e rinj pa pagesë, të tjerët paguajnë 25 euro për semestër

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 10:19

Studentët e rinj të cilët janë pranuar në Universitetet Publike të Kosovës, vitin e parë të studimeve do ta kenë pa pagesë, ndërsa studentët e tjerë do të paguajnë vetëm 25 euro për semestër. Ky është një vendim i Qeverisë së Kosovës që është marrë më 2 prill të këtij viti. Drejtues të Universiteteve thonë se kjo mund të reflektojë në buxhetin e universiteteve, por zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se nuk do të ketë ndikime negative.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për uljen e tarifave të studimeve në Universitetet publike do të fillojë të zbatohet nga 1 tetori i këtij viti. Shefi i kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina, tha për transmetuesin publik, se në bazë të këtij vendimi, Ministria e Arsimit ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për tarifat e studentëve, i cili do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ri akademik 2014-2015. Ai tha se kjo ulje nuk do të ketë ndikim negativ për universitetet.

“Ne si Ministri jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe në koordinim me universitetet publike, por edhe me Ministrinë e Financave, për të ndjekur të gjithë hapat në proceset edhe të rishikimit të buxhetit por edhe masave të tjera. Ministria e Arsimit do të përllogarisë të gjitha shifrat dhe në bashkëpunim më Ministrinë e Financave, universiteteve do t’u ndahet buxhet i mjaftueshëm, i cili do të jetë në shërbim të universiteteve dhe që do të funksionojnë me atë buxhet pa asnjë problem”, tha ai.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës, Anton Berishaj, tha se vendimi i Qeverisë është i mirë për studentët, është një politikë sociale për të stimuluar arsimimin. Por, kjo ulje tarifash do të reflektohet në buxhetin e Universitetit, tha Berishaj.

“Unë jam i përkushtuar dhe kam përkrahjen e Bordit dhe të Menaxhmentit, që ne jo të bëjmë presion, por mendojmë se do të hasim në mirëkuptim që të kompensohet ajo shumë e parave e cila është reflektuar si mangësi tani me vendimin e Qeverisë. Ne do të veprojmë sipas udhëzimit Administrativ dhe do ta respektojmë patjetër”, theksoi ai.
Qeveria e Kosovës mori vendim më 2 prill të këtij viti për uljen e tarifave të studimeve për studentët e nivelit bachellor dhe master për 50 për qind. Ndërkohë, studentët e rinj që janë pranuar këtë vit akademik në Universitetet Publike, vitin e parë të studimeve do ta kenë pa pagesë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat