Sfida sa i përket menaxhimit dhe kontrollit financiar

Ekonomi

Sfida sa i përket menaxhimit dhe kontrollit financiar

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 13:20

Kosova ende përballet me shumë sfida sa i përket menaxhimit dhe kontrollit financiar. Cilësia e informatave është përmirësuar krahasuar me vitet e kaluara, por ende ka probleme sa i përket fushës së prokurimit, aseteve, detyrimeve të papaguara etj. Kështu thotë në një intervistë për transmetuesin publik zëvendësi i auditorit të përgjithshëm, Artan Venhari, pas publikimit të raporteve të rregullsisë për institucionet, komunat dhe organizatat tjera buxhetore.

Institucionet, komunat dhe organizatat tjera buxhetore e kanë përmirësuar cilësinë e dhënies së informatave, por jo edhe menaxhimin dhe kontrollin financiar. Kështu konstatohet pas publikimit të raporteve të rregullsisë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për vitin 2013. Zëvendësi i auditorit të përgjithshëm, Artan Venhari, thotë se Kosova ende përballet me shumë sfida në këtë sferë.
“Sfidat e shohim që kanë mbetur të njëjta sa i përket fushës së prokurimit, aseteve, detyrimeve të papaguara dhe një numër të fushave që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe kontrollin financiar. Do të thotë po shohim me një numër të sfidave ne vazhdojmë vit pas viti të ballafaqohemi”, thotë Venhari.
Venhari thotë se janë në proces të analizimit të të gjitha raporteve të rregullsisë dhe të gjeturat do t’i përmbledhin në raportin vjetor të Auditorit të përgjithshëm, që do ta publikojnë në fund të gushtit, apo fillim të shtatorit. Por ai thekson se organizatat buxhetore përballen me problemet e njëjta nga viti në vit.
“Organizatat buxhetore nuk kanë problem vetëm me ekzekutimin e buxhetit, pra nuk është vetëm ekzekutimi i dobët por është edhe thjeshtë planifikimi i dobët dhe shumë organizata janë duke u ballafaquar me të. Po shohim se nëse flasim për komunat, sistemet e kontrolleve të brendshme apo raportimi i brendshëm është mjaft i dobët, dhe kjo nuk iu mundëson menaxhmentit nëpër komuna që t’i kuptojnë problemet”, thekson ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat