Vetëvendosje: Ish qeveria s’ka mandat të marrë vendime për TC Kosova e Re

Ekonomi

Vetëvendosje: Ish qeveria s’ka mandat të marrë vendime për TC Kosova e Re

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 16:44

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi komiteti drejtues i projektit të TC “Kosova e Re” i cili ka njoftuar sot se, me kërkesë të investitorëve, do ta shtyjnë afatin e dorëzimit të ofertave në tenderin për ndërtimin e këtij Termocentrali deri më 15 shtator.
Sipas, Lëvizjes Vetëvendosje, pas nënshkrimit të kontratës me Konsorciumin Bechtel dhe Enka, kjo qeveri në ikje deri në moskthim, vazhdon të marrë vendime për çështjet e rëndësisë strategjike për vendin, vendime këto të cilat as një qeveri fuqiplotë nuk do të duhej t’i ndërmerrte pa e arritur konsensusin mbarëshoqëror. Më tej në reagim thuhet se prapë sikur me autostradën për Shkup, kjo qeveri në ikje po e shfrytëzon orientimin e opinionit publik drejt zhvillimeve tjera politike për t’i kontrabanduar në heshtje vendimet e veta të dëmshme për të ardhmen e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton këtë projekt termocentrali, ndërtimi i të cilit bëhet kryekëput në kapital privat. Strategjia për energji dhe politikat e saj duhet të kenë qasje shumë më serioze se sa kjo që e kemi parë nga qeveria në ikje, apo cilado qeveri e pas luftës. Qasja karshi sektorit të energji duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo kështu e parcializuar duke u bazuar në interesat partikulare herë të qeveritarëve e herë të investitorëve.

"Republika e Kosovës duhet ta zhvillojë sektorin e energjisë dhe ta vendos atë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe sipas parimeve të tij. Ky zhvillim do të sigurojë shfrytëzimin racional të resurseve energjetike, ofrimin e shërbimeve energjetike të cilësisë së lartë e me kosto të ulët, rritje e zbatim të programeve të efiçiencës dhe sigurisë së furnizimit, duke marrë parasysh kujdesin për mjedisin. Ngritja e kapaciteteve gjeneruese në bazë të linjitit, duhet të shoqërohet me ndërtimin e shfrytëzimin maksimal të burimeve të ripërtërishme, ku planifikimi i detajuar i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme do t’i paraprijë vendimit për shtimit e termo-kapaciteteve. Investimet prioritare duhet të bëhen sipas parimit të rritjes së sigurisë së sistemit dhe zvogëlimin e humbjeve teknike e komerciale.

I tërë ky proces i tenderimit për kapacitetet e reja gjeneruese të energjisë elektrike ka qenë i përcjellë me shkelje të shumta dhe mungesë transparence. TC Kosova e Re, në mënyrën siç është konceptuar së fundi, bie ndesh me Strategjinë për Energji dhe vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Projekti është ndryshuar disa herë në dizajn. Komiteti drejtues asnjëherë nuk i ka publikuar termat e referencës për të treguar se çfarë teknologjie kërkojnë që të përdoret në termocentralin e ri. Cila do të jetë kostoja e prodhimit të energjisë në këtë termocentral dhe rrjedhimisht cili do të jetë efekti i tij në çmimin e energjisë për qytetarët e vendit? Cilat janë planet për zhvendosjen e popullatës nga kjo pjesë e Kosovës ku do të ndërtohet termocentrali dhe nga sipërfaqja e minierës së linjitit, etj? Gjatë procesit të parakualifikimit ka pasur shumë lëvizje të të interesuarve, disa duke hequr dorë fare e të tjerët duke krijuar konsorciume të reja.

Tash së fundi është tejet e paqartë se sa kompani kanë mbetur të interesuara. Në procesin e privatizimit të KEDS-it në fund u bë e qartë që ka pasur realisht vetëm një ofertues, pasi që kompania tjetër ishte aty vetëm sa për ta përmbushur kushtin themelor të dy ofertuesve. E njëjta gjë pak a shumë ka ndodhur edhe në procesin e dështuar të privatizimit të PTK-së”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes. A.M

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat