Shoqata e Qumështorëve paralajmëron protesta

Ekonomi

Shoqata e Qumështorëve paralajmëron protesta

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 16:01

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit paralajmërojnë protestë para Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, për shkak se nuk po i largon dhe nuk po i asgjëson prodhimet e importuara të bulmetit për të cilat po vërtetohet se kanë qëllim mashtrimin për konsumatorë.

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit vazhdojnë t’i shprehin pakënaqësitë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, ata do të organizojnë protestë me 23 të këtij muaji para Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, e cila nuk ka arritur t’i largojë në tërësi produktet e rrejshme në treg të ardhura nga vendet e rajonit. Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës se Përpunuesve të Qumështit thotë se masat të cilat Agjencia i ka ndërmarrë kanë qenë shumë parciale, në fakt ka veprua vetëm në disa markete.
“Në fakt ata i kanë larguar disa prej produkteve të cilat kanë ardhur në Kosovë me përmbajtje dhe me etiketa të cilat janë mashtrim për konsumatorin, mashtrim edhe për shtetin e Kosovës. Këto produkte kanë ndikuar në masë të madhe që sektori i qumështit të ndodhet para një bllokade faktikisht të pakalueshme” , tha ai.
Mema thotë se është mjaft shqetësuese që ato produkte po rikthehen në treg.
“Duhet që këto produkte sipas ligjeve aktuale në fuqi të asgjësohen, sepse këto produkte pastaj po rikthehen qoftë edhe më një emër tjetër”, tha ai.
Mema nuk ofroi të dhëna për emrat e firmave, por tha se bëhet fjalë për produkte që shiten si djathëra, e që në realitet nuk janë djathëra, por produkte me yndyrë bimore. Përfaqësuesit e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit kritikuan edhe Ministrinë e Tregtisë e Industrisë si dhe Ministrinë e Financave, të cilat nuk po ndërmarrin asgjë për t’i mbrojtur prodhuesit vendorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat