Inflacion i ulët në Eurozonë

Ekonomi

Inflacion i ulët në Eurozonë

Më: 17 korrik 2014 Në ora: 18:06

Inflacioni në Eurozonë qëndroi i ulët, në 0.5 për qind gjatë Qershorit, ashtu siç parashikohej, në atë që Presidenti i Bankës Qendrore Europiane e quan “zonë e rrezikshme”.
Rënia e çmimeve të ushqimeve dhe e thirrjeve telefonike ka kompensuar çmimet më të shtrenjta të duhanit dhe restoranteve. Çmimet e konsumit në 18 vendet që përdorin monedhën e përbashkët europiane, euro, u rritën 0.1 për qind në Qershor krahasuar me një muaj më parë dhe 0.5 për qind në nivel vjetor. Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Statistikave, Eurostat, inflacioni qëndroi i pandryshuar krahasuar me majin.

Norma vjetore e inflacionit po qëndron shumë poshtë objektivit afatmesëm të Bankës Qendrore Europiane, pranë por poshtë 2 për qind. Banka Qendrore Europiane beson se ngadalësimi i rritjes së çmimeve nën 1 për qind është një “zonë e rrezikshme” për shkak të kërcënimit të deflacionit. Rritja e çmimeve ka qëndruar poshtë 1 për qind që nga Tetori i vitit të kaluar. Çmimet e konsumit shënuan rënie në Greqi, Portugali dhe Sllovaki gjatë qershorit, ndërsa 15 vendet e tjera të Eurozonës kishin një inflacion lehtë përmbi 1 për qind, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë.

Ndërsa inflacioni bazë vjetor, që përjashton çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe të produkteve ushqimore të papërpunuara, qëndroi në 0.8 për qind në Qershor, i pandryshuar me Majin. Banka Qendrore Europiane i mbajti normat e interesit të pandryshuara në takimin e muajit Korrik, ndërsa një muaj më parë e uli normën e interesit për depozitat në territor negativ për të mbështetur kreditimin e ekonomisë reale. Gjithashtu Banka Qendrore Europiane u shpreh se është e gatshme për të printuar para’ nëse do të jetë e nevojshme, për të ndalur rënien e inflacionit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat