Rreth 40 për qind e të punësuarve në Shqipëri s’i paguajnë shtetit taksat

Ekonomi

Rreth 40 për qind e të punësuarve në Shqipëri s’i paguajnë shtetit taksat

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 21:18

Rreth 40 për qind e të punësuarve në Shqipëri nuk paguajnë asnjë taksë shtetit. Këto të dhënë i ka nxjerrë Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike që alarmon se kjo ka sjellë reduktim të kontributeve shoqërore, si dhe zhvillimin e një konkurrence të pandershme mes bizneseve.
Milva Ikonomi, eksperte në ekonomi, përmes një analize sqaron se nga viti 2007 në 2012 bizneset nuk kanë ulur pagat edhe pse nuk kanë rritur investimet, çka ka ndihmuar në kapërcimin e krizës më lehtë, përcjellin mediat shqiptare.

Ikonomi sqaron se shumë biznese në Shqipëri janë me lidhje familjare, çka ndikon që shpesh vendimet të mos jenë të drejta.

“Kur ndërmarrja realizon bilancin e vet ekonomik, ka gjithmonë parasysh që një pjesë të fitimit ta çojë drejt fondit të pagave dhe një pjesë ta lërë për të bërë investime. Shumë vende të rajonit ulën pagat e punonjësve dhe jo investimet, ndërsa në Shqipëri nuk u ulën pagat në kohën e krizës”, ka thënë ajo.

Sipas raportit, pagat në sektorin publik janë mesatarisht 25% më të larta se pagat në përgjithësi. Pothuajse 60 për qind e të punësuarve përfitojnë nga të ardhurat të barabarta me pagën minimale. Transporti dhe telekomunikacioni kanë pagën më të lartë, me një mesatare prej 55 mijë lekësh, më pas vjen industria dhe ndërtimi me 35 mijë dhe në fund është sektori i shërbimeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat