Kartoni i Gjelbër pas formimit të Qeverisë, e vuajnë mërgimtarët

Ekonomi

Kartoni i Gjelbër pas formimit të Qeverisë, e vuajnë mërgimtarët

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 12:06

Mërgimtarët tanë që hyjnë në territorin e Kosovës me targa të huaja edhe më tutje duhet të paguajnë sigurim kufitar shtesë për automjetet e tyre, pasi Kosova nuk është pjesë e zonës së Kartonit të Gjelbër. Marrëveshja e paralajmëruar për heqjen e këtij sigurimi është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe mund të arrihet vetëm pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës.
Bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë me automjete me targa të huaja, vazhdojnë të paguajnë sigurim kufitar shtesë. Kartoni i Gjelbër nuk iu vlen në Kosovë. Ndonëse ishte paralajmëruar se deri në fund të muajit korrik do të arrihej një marrëveshje që ata të mos paguajnë policë kufitare, kjo nuk ka ndodhur. Rrahim Pacolli, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi për fushën e sigurimeve, tha për Radio Kosovën se procesi është ngadalësuar për shkak zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

“Proceset pas zgjedhjeve janë ngadalësuar, të mos them se janë pauzuar për një moment dhe kjo na ka shtyrë të paktën dy muaj. Momentalisht jemi në kontakt me Brukselin por nuk kemi filluar derisa të krijohet qeveria e re. Menjëherë pas krijimit të qeverisë ne do të fillojmë takimet në Bruksel dhe mendoj që shumë shpejt do të vije deri te arritja e marrëveshjes”, thotë Pacolli.

Për dy javë qëndrimi në Kosovë mërgimtarët duhet të paguajnë polisë kufitare prej 30 eurosh. Pacolli sqaron se marrëveshja e diskutuar në Bruksel parasheh që bashkatdhetarët që vijnë me automjete me targa të huaja të mos paguajnë në Kosovë tarifë shtesë, kurse ata me targa vendore që udhëtojnë jashtë shtetit, të paguajnë kartonin e gjelbër në një zyrë në Prishtinë. Por deri te anëtarësimi i plotë i Kosovës në Byronë Evropiane të Kartonit të Gjelbër duhet ende kohë, thotë ai.

“Dy byrotë, ajo evropiane dhe e Kosovës fillojnë trajtimin e pagesave të dëmeve, është koha sa duhet me iu përmbajt. Nëse ne shkojmë mirë, dhe nuk kemi pagesa të dëmeve që kanë me ndodhë në të ardhmen, atëherë ata i vlerësojnë dhe ndoshta pas një viti ne mund të hyjmë komplet në Karton të Gjelbër, me të drejta të barabarta”, thotë ai.

Ndryshe Byroja Kosovare e Sigurimit më 30 shtator 2011 kishte paraqitur kërkesën për aplikim në Këshillin e Byrosë për Karton të Gjelbër, me seli në Bruksel. Për këtë çështje atje është diskutuar më 23 maj të këtij viti me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar janë mbledhë mbi 15.3 milionë euro nga polisat kufitare, kurse një vit më parë 14.7 milionë euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat