Verë 2014: Bum turistik në Greqi

Ekonomi

Verë 2014: Bum turistik në Greqi

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 08:55

Shifrat flasin vetë: Në vitin 2014 priten më shumë se 21 milionë vizitorë në Greqi - një plus prej 10% krahasuar me vitin 2013. Edhe të ardhurat nga turizimi priten po ashtu të arrijnë nivele rekord, në 13 miliardë euro bën të ditur Shoqata e Bizneseve Turistike, SETE. Duket se këtë verë turizmi do të jetë spiranca e shpëtimit për ekonominë greke.
Por disa hotele po përpiqen të nxjerrin përfitime të shpejta: Në këtë korrik , krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e hoteleve në Greqi janë rritur me 13,5%, sipas portalit informativ të hoteleve, trivago. Presidenti i SETE-s, Andreas Andreadis në bisedë me Deutsche Welle-n përpiqet të qetësojë zërat kritikë: "Çmimet e hoteleve orientohen sipas kërkesë-ofertës. Megjithatë rritja aktualisht e çmimeve është mesatarisht në kuotën njëshifrore".
Por sigurisht nuk mund të përjashtohet që hotele të caktuara në Mykonos dhe Santorini po përpiqen të nxjerrin përfitime të shpejta. Edhe në Athinë këtë vit ka pasur një rritje të dukshme të çmimeve, thotë Andreadis. Por duhet të kujtojmë që në vitet e fundit për shkak të krizës ka pasur një ulje deri në 50% të çmimeve të hotelerisë.

Rritja e çmimeve aktivizon politikën

Turizmi përbën një të pestën e kapacitetit ekonomik të Greqisë. Ishte pikërisht kjo degë që vitin e kaluar bëri që për herë të parë nga viti 1948 Greqia të shënonte një plus në bilancin vjetor ekonomik. Qeveria e koalicionit nën kryeministrin Samaras do të bëjë gjithçka që kjo tendencë pozitive ekonomike të mos shkatërrohet nga çmimet abuzive në turizëm. Ministrja e turizmit, Olga Kefalogiani paralajmëroi në fillim të qershorit nga rritja e çmimeve të hoteleve. Madje vetë kryeministri Samaras i bëri një vizitë Shoqatës së Bizneseve Turistike. Andreas Andreadis nuk do ta komentojë këtë, por thekson se "pozicioni ynë është që vetë tregu të rregullojë çmimin."
Për Nikos Chryssikopolous, kryeredaktor i portalit ekonomik "capital.gr çmimet e larta janë raste përjashtuese. Por sigurisht udhëtarët që kërkojnë një prenotim në minutën e fundit duhet të llogarisin me çmime të larta.
"Greqia është një destinacion turistik mjaft i preferuar, prandaj kush do të vijë këtu, duhet të bëjë sa më herët prenotimin." Por sipas tij shumica e turistëve nga Gjermania dhe Austria i bëjnë prenotimet shumë herët. "Në veriun e Europës është traditë që pushimet të planifikohen herët. Këtu në Mesdhe është mentaliteti që të bësh pushime në minutën e fundit." Sipas prognozave të turizmit edhe këtë vit gjermanët me 2,7 milionë vetë do të përbëjnë sërish grupin më të madh të turistëve në vend, të ndjekur nga britanikët.

Rusët megjithë krizën në rajon vijnë në Greqi

Me një milionë pushues edhe rusët nga viti 2013 hyjnë në grupin e mëdhenj të turistëve. Ata konsiderohen si mjaft shpenzues, gati 100 euro në ditë, më shumë se çdo europian tjetër. Por si pritet të jetë gjendja këtë vit në kuadër të krizës në Ukrainë dhe dobësimin e rublës? Eksperti Nikos Chryssikopolous nuk beson se kriza do të ketë ndikim: "Duhet të diferencojmë: Pushuesit e pasur, që duan të vijnë në Greqi nuk tremben aq lehtë nga kriza. Për turizmin masiv nga Rusia, gjendja paraqitet ndryshe." Konkluzioni i tij: "Po qe se do të ketë rënie të turizmit nga Rusia, atëherë kjo pritet vetëm në rënien e numrit të vizitorëve, por jo edhe aq tek të ardhurat."
Shoqata e Bizneseve Turistike greke sigurisht dëshiron që turistët e preferuar nga Lindja, t'i mbeten besnikë Greqisë. Për këtë arsye rusëve i është ofruar edhe një bonus: "Për të kompensuar dobësimin e rublës, shumë operatorë turistikë kanë rënë dakord për të ulur çmimet", sqaron kreu i Shoqatës së Bizneseve Turistike, Andreas Andreadis. Një gjest i rëndësishëm që Greqia të sigurojë pjesën e saj në tregun turistik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat