Autostradat, vetëm kursim kohe

Ekonomi

Autostradat, vetëm kursim kohe

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 08:11

Ndërtimi i autostradave nuk po i sjell përftime të mëdha ekonomike Kosovës. “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova” e lëshuar në qarkullim në fund të vitit 2012, nga ekspertë të fushës së ekonomisë konsiderohet se nuk i ndihmoi Kosovës në aspektin ekonomik.

Të njëjtin mendim ata japin edhe për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

Deri më tani autoritetet në Kosovë nuk kanë publikuar ndonjë studim rreth përfitimeve ekonomike që mund t’i ketë vendi nga ndërtimi i këtyre dy autostradave.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se studimet kanë treguar se përftimet e Kosovës nga ndërtimi i këtyre rrugëve janë minimale.

“Unë kam pasur rastin të kem qasje në një studim të impaktit ekonomik për autostradën për Shqipëri dhe në bazë të atij studimi të bërë nga një kompani amerikane, del se përveç përftimit kohor dhe ruajtjes së automjetit nga dëmtimet, nuk është treguar se do të ketë ndonjë përftim tjetër ekonomik dhe shpenzimi i mbi 1 miliardë euro për një autostradë ku vetëm kohën e kursen, nuk është ndonjë përftim i madh ekonomik”, thotë Demi.

Autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro. Derisa Autostrada Prishtinë - Hani i Elezit, e cila filloi punimet ditë më parë do t'i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro.

Autostrada e quajtur “Arbën Xhaferi”, do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Kostoja e shpenzuar për ndërtimin ë këtyre dy rrugëve, sipas Agron Demit është mjaft e lartë dhe se shpenzimi i këtyre mjeteve në këtë kohë në një sektor tjetër, siç është energjia, do të kishte përftime më të mëdha.

“Nëse ato mjete do të shpenzoheshin në fushën e energjisë, ku do të eliminoheshin humbjet në rrjet, që janë rreth 30 për qind, ne do të përftonim edhe si qytetarë në faturat tona, por edhe furnizimi me energji elektrike do të ishte më i qëndrueshëm. Nëse krahasojmë se përftimi më i madh ekonomik do të ishte në rrugë apo në sektorë të tjerë, unë do të zgjidhja sektorët tjerë se këto dy autostrada”, vlerëson Demi.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, mendon se përftimet nga autostradat aktualisht për Kosovën janë zero, por që në të ardhmen këto rrugë mund të jenë nxitëse të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të një komunikimi më të shpejtë me rrjetin e korridoreve evropiane.

“Kur flasim për normat ekonomike dhe ndikimin e saj në përmirësimin e procesit zhvillimor dhe zbutjen e problemeve të papunësisë, efektet janë zero. Nuk ka përfitim të madh. Këtu nuk është problem autostrada për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”, shton Rexhepi.

Fokusimi i autoriteteve të Kosovës vetëm tek autostradat, sipas Rexhepit, ka margjinalizuar sektorët tjerë dhe kjo pas vetes ka bartur pasojat tjera siç është ashpërsimi i problemeve sociale.

“Shpërndaja e investimeve publike duhet të jetë më harmonike që të plotësohen edhe kërkesat e sektorëve të tjerë, të zëmë energjia, shërbimet publike, hekurudhat, e mos të flasim për nevojat që ka arsimi apo shëndetësia”, thekson Rexhepi.

Shkëmbimet tregtare mes këtyre shteteve që lidhin këto dy autostrada asnjëherë nuk kanë qenë në favor të Kosovës.

Eksporti i mallrave nga Maqedonia në Kosovë sillet rreth 300 milionë euro. Ndërsa, importi nga Kosova në Maqedoni gjatë këtyre viteve, nuk ka tejkaluar asnjëherë 35 milionë euro.

E njëjta situatë është edhe me Shqipërinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat