“Trepçës” t`i ofrohet kujdes i shtuar nga qeveria e ardhshme

Ekonomi

“Trepçës” t`i ofrohet kujdes i shtuar nga qeveria e ardhshme

Më: 8 korrik 2014 Në ora: 08:59

​Riaktivizimi i prodhimit në Gjigantin Metalurgjik “Trepça” pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e eksportit, por edhe në gjendjen e gjithëmbarshme ekonomike të vendit. Kështu thonë zyrtarë të këtij gjiganti por edhe të shoqatës së eksportuesve të Kosovës. Por deri te fillimi i prodhimit në këtë linjë, duhet ende kohë.
Gjiganti Metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, pritet të rifillojë prodhimin. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje është duke u angazhuar për funksionalizimin e çdo reparti, me qëllim që të mos eksportohen vetëm koncentrate, por të rritet shkalla e produkteve finale që kanë edhe vlerë më të lartë. Kështu thotë për Radio Kosovën drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava. Sipas tij, tashmë është duke u realizuar projekti i parë për aktivizimin e linjës së prodhimit të Oksidit të Zinkut, për të cilin kanë marrë dritë jeshile nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së.

“Kjo nënkupton që të bëhet riparimi i furrave dhe me riparimin e tyre të lëshohet në prodhim, kurse në pjesët tjera linja është në gjendje pune. Tash do t’i porosisim prej Suedisë, dhe në momentin që na vijnë tullat montohen dhe lëshohet prodhimi. Dhe kjo do një kohë, sepse nuk lëshohen menjëherë pasi tullat dhe montimi duan një kohë, mirëpo mendohet që për pesë muaj të fillojë prodhimi”, thotë Tmava.

Sipas Tmavës, realizimi i këtij projekti madhor ka një kosto prej rreth 300 mijë eurosh. Por aktivizimi i prodhimit pritet të ndikojë që vlera e eksportit të rritet për rreth 20 për qind, e njëkohësisht do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit, thotë Tmava.

“Prodhimi nënkupton me punëtorët të cilët janë duke punuar aktualisht, por me aktivizimin e saj, kjo linjë jep mundësinë që të hyjmë në një realizim më të madh, që e tërë elektroliza të jetë në funksion e atëherë do të bëhet një punësim shumë më i madh, disa qindra punëtorë”, shprehet ai.

Riaktivizimi i prodhimit në këtë gjigant metalurgjik, shihet si mundësi e madhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit. Kryetari i shoqatës së eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, thotë se fillimi i prodhimit do të ndikojë sidomos në zvogëlimin e deficitit të lartë tregtar të Kosovës me botën e jashtme.

“Sigurisht që Trepça është ajo lokomotiva e zhvillimit ekonomik, posaçërisht të eksportit. Sidomos kur kemi parasysh që Trepça në vitet më të mira ka pasur rreth 200 milionë dollarë eksporte brenda vitit, kurse tani kemi gjithsej eksporte pak mbi 300 milionë euro”, thotë Hasani.

Hasani thotë se Trepça është ndërmarrje gjigante jo vetëm në nivel të Kosovës e rajonit, por edhe atë evropian, prandaj porosit qeverinë e ardhshme që të ketë një kujdes të madh ndaj saj.

Ndryshe, bordi i AKP-së në mbledhjen e fundit ka autorizuar menaxhmentin e AKP-së që të parashtrojë kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për shtyrjen e afatit për dorëzimin e Planit të Riorganizimit të Trepçës, e cila ende është ndërmarrje nën administrim të AKP-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat