AUV-ja rrit kontrollet e ushqimit

Ekonomi

AUV-ja rrit kontrollet e ushqimit

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 09:13

Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AUV), ka rritur kontrollet nëpër dyqane dhe vendet ku shitën produkte ushqimore. Ky intensifikim ka ardhur për shkak të sezonës së verës e ku temperaturat janë të larta dhe mundësia e prishjes së produkteve me prejardhje shtazore është mjaft e madhe. Në periudhën 6 mujore të këtij viti kjo agjenci ka asgjësuar 67.500 kilogramë prodhime të mishit, peshk si dhe 15 mijë kilogramë produkte me origjinë bimore.

Ekspertet e teknologjisë ushqimore kanë thënë se konsumatorët duhet të kenë kujdes në temperatura të larta me produktet mishit dhe produktet e qumështit.

Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit (AUV), Lamir Thaçi ka treguar për portalin “Ferma Ime” se inspektorati punon në bazë të planeve nacionale për kontrolle. E sipas tij, për produktet e importuara kontrolli ushtrohet në të gjitha ngarkesat ndërsa frekuenca e kontrollit për operatoret tregtues të ushqimeve brenda vendit realizohet në bazë të frekuencës se planit për kontroll. “Plani vjetor për kontrolle, gjatë sezonit veror kur temperaturat ngritën parasheh ngritje të frekuencës inspektuese, sidomos për ato biznese qe tregtojnë mallra që duhet t’i nënshtrohen kushteve adekuate të ruajtjes”, tha ai.

Thaçi, thotë se secili produkt ushqimor në dekleracion ka të shënuar edhe temperaturat ruajtëse dhe në bazë të atyre të dhënave verifikohet temperatura se a i është përshtatur produktit në vendin e ruajtjes apo shitjes. “ Konsumatorët duhet të kenë kujdes që gjatë transportit deri në shtëpi dhe gjatë ruajtjes në hapësirat e shtëpisë, të përshtatin kushtet e kërkuara të temperaturës sipas dekleracionit sepse mund të vijë deri të prishja e produktit”, tha ai.

Ndërkaq, Xhavit Ramadani, profesor i Teknologjisë Ushqimore ka thënë për portalin “Ferma Ime” se në kohën e temperaturave të larta duhet të kemi kujdes me produktet e mishit dhe produktet e qumështit, pasi që kanë lagështi, yndyrë dhe përbërës të tjerë.

“Ushqimet duhet të ruhen në temperatura të ulëta gjatë verës sidomos produktet e qumështit dhe mishit, pasi janë të lëngshme dhe mund të prishen lehtë. Produktet me këtë prejardhje duhet të ruhet në frigoriferë”, tha Ramadani.

Ai thotë se produktet e thata është më lehtë të ruhen edhe në temperaturë të dhomës.

Por, zëdhënësi Lamir Thaçi thekson se aspekti shëndetësor i mishit të importuar kontrollohet nga AUV-ja, kontroll i cili është i bazuar në standardet e BE-së. Ai ka treguar se cilësia e mishit nëpër dyqanet mish shitëse në Kosovë është e mirë si rezultat i kontrollit të Inspektoratit Veterinar të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë dhe përgjegjësisë se vet operatoreve të biznesit me ushqim që kanë në bazë të ligjeve në fuqi.

Ai tregon se Inspektorati i brendshëm Veterinar, në kuadër të AUV-së, gjatë pjesës së parë të këtij viti, ka intensifikuar inspektimet nëpër mishtore, markete dhe subjekte tjera afariste që kanë të bëjnë me shitjen, paketimin dhe distribuimin e prodhimeve ushqimore me origjinë shtazore, sidomos me prodhime të mishit, ku gjatë këtyre inspektimeve, sipas tij janë asgjësuar 67.500 kg prodhime mishi dhe peshku. Po ashtu, zëdhënësi Thaçi tregon se janë asgjësuar 15 mijë kilogram produkte ushqimore me origjinë bimorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat