Lejohet prodhimi në Fabrikën e Oksidit të Zinkut në Trepcë

Ekonomi

Lejohet prodhimi në Fabrikën e Oksidit të Zinkut në Trepcë

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 19:27

Bordi i AKP-së ka miratuar në parim kërkesën e Menaxhmentit të `Trepçës` për riaktivizimin e prodhimit në Fabrikën e Oksidit të Zinkut. Sipas një njoftimi të AKP-së, me riaktivizimin e kësaj fabrike, pritet që fillimisht të punësohen mbi 60 punëtorë në procesin e prodhimit. Produktet e kësaj fabrike janë kryesisht për eksport.

Në mbledhjen e fundit të bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndër të tjera është autorizuar menaxhmenti i AKP-së që ta parashtrojë kërkesën në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shtyerjen e afatit për dorëzimin e Planit të Riorganizimit të Trepçës, e cila ende është ndërmarrje nën administrim të AKP-së.

E karshi këtyre zhvillimeve, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, thotë se beson që qeverisja e ardhshme bashkë me Kuvendin, ta finalizojnë sa më parë ligjin për Trepçën, duke e kaluar edhe në leximin e dytë dhe duke e shndërruar kështu në ndërmarrje publike, për të cilën gjë Ismajli thotë se e nisi pasi që erdhi në krye të kësaj ministrie.

Me këtë veprim, ai thotë se Trepça do t`i kthehet Kosovës dhe Qeverisë e cila do të vendosë për të, e jo më AKP-ja me të cilën thotë se ka pasur mosmarrëveshje të shumta.

`Ju e dini që ka kalu leximi I parë për aprovimin e amandamentimit të ligjit për ndërmarrje publike e të cilën mundësohej që Trepca të shëndërrohej në ndërmarrje publike me qka qeveria dhe kuvendi i Kosovës merrnin kompetenca të plota mbi menaxhimin dhe riorganzimin, ristrukturimin e Trepcës, që mendojmë dhe mendoj edhe më tutje që ëshë e vetmja rrugë e drejtë. Jam I bindun dhe besoj që një aktivitet të tillë do ta vazhdoj cila do qeveri që nesër do të vie, sepse nuk shoh që ka rrugë tjetër`, tha ministri për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismaili.

E kjo sipas tij, duhet të bëhet pasi është e vetmja rrugë e drejtë për shfrytëzimin e një potenciali dhe promotori të zhvillimit ekonomik të vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat