Sektori i energjisë me shumë afera korrupsioni

Ekonomi

Sektori i energjisë me shumë afera korrupsioni

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 14:32

​Korrupsioni në fushën e energjisë në vendet e Evropës Juglindore është mjaft i theksuar dhe ka bërë që investitorët të largohen dhe të mos ketë zhvillim të qëndrueshëm të energjisë. Madje, korrupsioni i lartë në këtë fushë është edhe pengesë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, institucion ku kusht kryesor e ka luftimin e korrupsionit.

Kështu u tha në prezantimin e raportit ‘Fituesit dhe Humbësit, Kush përfiton nga korrupsioni i nivelit të lartë në sektorin e energjisë në Evropën Juglindore”, të publikuar nga ATRC-ja, në një tryezën e rrumbullakët.

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC-së, tha se raporti përmban analizë të fenomenit të korrupsionit në sektorin e energjisë në vendet e Evropës juglindore, efektet dhe pengesat që korrupsioni u ka sjell atyre vendeve në proceset integruese evropiane, si dhe detyrat dhe obligimet që shtet kanë me BE-në, për luftimin e korrupsionit.

Kaloshi tha shtetet që janë palë të traktatit të energjisë planifikojnë 28. 8 miliard investime në energji nga viti 2012 deri në vitin 2020 në Ballkanin Perëndimor, ku menaxhimi i këtyre investimeve do të jetë një sfidë ekzistenciale për shtetet e Evropës Juglindore.

“Përvoja e deritashme e theksuar edhe në këtë raport dhe përmes rasteve konkrete dëshmon se projektet në fushën e energjisë në rajon shpesh janë shënuar nga korrupsioni i cili ka larguar investitorët e njohur dhe ka ngritur shpenzimet. Gjithashtu, ka nënkuptuar mundësi të zvogëluar për zhvillim të qëndrueshëm të energjisë duke humbur burimet duke ndikuar në tregje, duke devijuar në interesin publik drejt interesave private, duke bazuar vendimmarrjen kundër kritereve racionale të qëndrueshmërisë dhe në favor të interesave personale”, tha Kaloshi.

Në këtë raport janë marr nga dy shembuj për secilin vend të Evropës Juglindore. Për Kosovën janë marr dy raste, rastin për kontratën e KEK-ut, kur një gazetë ditore kishte raportuar për financimin që një kompani po i bënte partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, në mënyrë që të fitoj tenderë në KEK, si dhe rast i tjetër është Afera UNMIK-KEK, ku ish menaxheri ekzekutiv i KEK-ut, JO Trutschcler i cili kishte përfituar 4.3 milionë dollarë, me transferimin e parave në kompani fiktive në Gjibraltar.
Mirëpo, Kaloshi ka shtuar se përvoja ka treguar se lufta kundër korrupsionit është e vështirë dhe sfiduese dhe të njëjtën kohë bartë rreziqe dhe tendenca për të shuar dhe vënë nën kontroll zërat kritik të organizatave civile, gazetarëve apo ekspertët për korrupsionin e supozuar.

Sipas tij, në vendet e rajonit është një lloj fenomeni, ku me shumë flitet e diskutohet për korrupsionin se sa veprohet në mënyrë konkrete.

“Është një fenomen në nivel rajoni. Do të thotë flasim shumë për korrupsionin, e diskutojmë shumë korrupsionin, qoftë në gazeta qoftë ne forume të OJQ-ve, dhe fatkeqësisht nuk shohim veprime konkrete që ato raste që ne i flasim i themi të kthehen në raste hetimi dhe të vazhdohet procedura. Kjo mandej ka shkaktuar një lloj demotivimi, një lloj zmbrapsje e qytetarëve dhe një lloj mos interesimi të qytetarëve për të bashkëpunuar dhe për të ofruar informacion të kësaj natyre, sepse konsiderohen të ndjeshme, konsiderohen se bartin rreziqe me pas, konsiderohet që i kthehet atij denoncuesit bumerang nga institucionet tjera”, tha ai.
Ndërsa, pjesëmarrësit në këtë tryezë të rrumbullakët thanë se janë shumë faktor që ndikojnë në nivelin kaq të lartë të korrupsionit.

Driton Tafallari nga Development Together, i cili foli për ndërtimin e autostradës ‘Ibrahim Rugova’, tha se ende mbetet mister se sa ka kushtuar realisht ajo, duke e quajtur skandaloze çmimin e lartë që është paguar, gjithnjë sipas vlerave që kanë dal në opinion.“Mënyra më e mirë për ta luftuar korrupsionin është transparenca, është thënë po thuhet edhe ajo në të cilën edhe ne si shoqëri civile të insistojmë”, tha Tafallari.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga instituti KIPRED tha se korrupsioni në rastin e Kosovës, është më i veçantë nga ai i vendeve të tjera, pasi këtu janë të përfshirë shumë individë, e jo vetëm një. “Në Kosovë ishte rasti i një korrupsioni me kolektiv, sepse mjetet financiare nuk kanë shkuar për një individ por për një parti caktuar dhe aty kanë qenë me shumë persona në dijeni për korrupsionin e zhvilluar”, tha Krasniqi.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të politikave të qëndrueshëm në Evropën Juglindore i financuar nga KE-ja, UNDP-i dhe Ballkan Trust for Democracy, ndërsa raporti që po publikojmë sot është kontribut i 17 organizatave nga vendet e rajonit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat