Vendimmarrësit e Gjilanit, miratojnë raportin tre mujor financiar

Ekonomi

Vendimmarrësit e Gjilanit, miratojnë raportin tre mujor financiar

Më: 24 prill 2014 Në ora: 20:39

Gjilan, 24 prill / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të enjten mbledhjen e 6-të të radhës për këtë vit, nën kryesimin e Valentina Bunjakut-Rexhepit, ku ka miratuar raportin financiar tre mujor janar-mars 2014 si dhe rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) për anulimin e dy vendimeve të mëhershme, njërit ndalimin e shitjes së pronave publike nga AKP-ja si dhe tjetri për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokale.

Po ashtu Kuvendi Komunal i Gjilanit, në këtë seancë, ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokale, vendimin për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve për studentë të dalluar si dhe njëkohësisht edhe vendimi për formimin e Komisionit për ndarjen e bursave, pastaj vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 3.960 euro për Turnirin e boksit “Agim Rashiti” në Gjilan si dhe vendimin për ndarjen e shumës prej 4.964 euro për konservimin dhe mirëmbajtjen e stadiumit të qytetit.
Në këtë seancë është bërë edhe themelimi i Këshillit të Ekspertëve si dhe është prezantuar një informatë për Manifestimin “Flaka e Janarit”.

Edhe kjo seancë e Kuvendit Komunal u përshkua me tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, e cila kulmoi me largimin e këshilltarëve të PDK-së nga salla, në pikën e fundit të punës, pas një reagimi të këshilltarit Imet Rrahmani ndaj provokimeve të Bujar Nevzadit (PDK), që u mor si fyerje, edhe pse Rrahmani kërkoi falje, duke thënë se fjala e tij ishte keqkuptuar, sepse nuk e kishte atë qëllim.
Përndryshe, raportin financiar tre mujor e ka prezantuar drejtori i Financave, Salih Kqiku, i cili ka thënë se të hyrat vetjake të kësaj periudhe janë realizuar 98 për qind, ndërkaq plani vjetor është 3.780.000, mjete këto që marrin pjesë në buxhetin e përgjithshëm të Komunës prej 20.125.842 euro. Nga kjo shumë, për subvencione janë të planifikuar 558.800 euro, ndërsa për shpenzime kapitale - 3.806.055 euro.
Ndërkaq, duke folur për shpenzimet, Kqiku ka thënë se ato janë 4.528. 875 euro, por në këtë shumë hyjnë edhe shpenzimet e bartura nga viti 2013, si borxhe, në shumë prej 577 mijë euro. Në përgjithësi, shpenzimet e këtij tre mujori kanë shënuar rënie të dukshme në të gjitha kategoritë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka thënë Kqiku.
Opozita (PDK), ka thënë se të hyrat janë më të ulëta se planifikimi, ndërsa shpenzimet nuk të njëjta. Riad Rashiti (PDK), tha se nëse vazhdohet me këtë ritëm të të hyrave komunale, vështirë se mund të realizohet plani vjetor. Sa i përket shpenzimeve, sipas tij ato janë më të mëdha, ndërkaq nuk është realizuar asnjë projekt, ka thënë ai.

Kurse Bujar Nevzati (PDK) tha se krahasimet duhet të bëhen në bazë të punëve të kryera dhe jo vetëm shpenzimeve. Sahit Abazi (PDK) ka thënë se premtimet për investime nuk figurojnë si projekte në planin buxhetor.
Mizafere Ismajli (LDK) tha se ish-qeverisja ka bërë punë jo cilësore, sepse rrugët nëpër lagje janë dëmtuar menjëherë, ndërsa kanalizimet ngulfaten kur bie shi. Fehmi Sylejmani (VV) kërkoi që raportet financiare të shoqërohen edhe me pjesën përshkruese, sepse vetëm paraqitja tabelore nuk është e mjaftueshme për ata që nuk i përkasin kësaj fushe.
Drejtori i Buxhetit Salih Kqiku ka thënë se opozita duhet ta bëjë analizën e shpenzimeve pa borxhet e trashëguara, për të parë se sa realisht janë shpenzimet kësaj periudhe, por ka qenë kategorik se shpenzimet janë shumë-shumë më të ulëta se ato të tre mujorit të vitit të kaluar, në qeverisjen e PDK-së.
Sipas tij, në këtë tre mujor, shpenzime për ushqime dhe pije janë bërë vetëm te “Flaka e Janarit” dhe “Dita e Mësuesit”, ndërsa dreka zyrtare tjera nuk ka pasur.
Zijadin Maliqi (LDK) ka thënë se është normale të të hyrat e tre mujorit të parë të jenë më të dobëta, sepse është fillimi i vitit, por në përgjithësi ai u shpreh i kënaqur me realizimin e planit. Kurse sa u përket shpenzimeve, që shihet se janë të ulëta, Maliqi ka thënë se nëse vazhdohet kështu, deri në fund të vitit mund të shlyhen borxhet e trashëguara.

Avdyl Aliu (LDK) tha se nëse krahasosh shpenzimet e periudhës së njëjtë të vitit 2012, me ato të vitit 2014, meqë për vitin 2013 nuk ka pasur raport, atëherë shihet se tani, dallimi është 800 mijë euro më pak dhe kjo shumë e kursyer është rezultate i dietës.
Ismajl Januzi, drejtor i Shërbimeve Publike, tha se borxhet e trashëguara janë një problem shumë serioz, që është konstatuar edhe nga auditori i pavarur, duke thënë se kjo përbën shkelje ligjore.

Kuvendi ka anuluar vendimin për ndalimin e shitjes së pronave publike, me arsyetim se kërkesat për pronat shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e interesit publik, bëhen në harmoni me dispozitat e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, i datës 22 nëntor 2012 dhe me dispozitat e Rregullores për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme komunale, të datës vitit 2013.
Ndërkaq anulimi i vendimit për Këshillat lokale u bë me arsyetim se Komisioni për zgjedhjen e këtyre këshillave nuk ka arritur të udhëheq dhe të koordinojë punën në zgjedhjen e këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane në afatin e paraparë dhe as që ka paraqitur raport të punës para Kuvendit të Komunës.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për ndarjen e bursave, duke e rritur shumën e propozuar nga Drejtoria e Arsimit, prej 300 mijë në 70 mijë, të cilin e paraqiti drejtori Nazmi Musa.
Fillimisht ishte paraparë ndarja e 55 bursave për studentë të dalluar të Komunës së Gjilanit, 30 bursa në lartësi prej 60 euro, për studentët e Komunës së Gjilanit, të cilët studiojnë në Universitetet e Kosovës, jashtë Komunës së Gjilanit si dhe 25 bursa të tjera, në lartësi prej 40 euro, për studentët e Komunës së Gjilanit, të cilët studiojnë në Universitetet brenda Komunës së Gjilanit. Po ashtu, me këtë vendim lejohet ndarja e 10 shpërblimeve, në lartësi prej 200 euro, për studentë të dalluar të Komunës së Gjilanit.
Përzgjedhja e studentëve përfitues të bursave dhe shpërblimeve do të bëhet nga Komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit dhe në bazë të konkursit të shpallur nga Drejtoria për Arsim, sipas kritereve për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve për studentë të dalluar, të miratuar në Komitetin për Arsim, ka thënë Musa.

Opozita, nëpërmjet Sahit Abazit, Bujar Nevzatit, Riad Rashitit, Leonora Bunjakut, Shukrije Rapucës (PDK) Fehmi Sylejmanit e Besa Baftiut (VV), Arben Maliqit (i pavarur) dhe të tjerëve, kërkuan rritje të numrit të bursave, gjë që ishin dakord edhe Zijadin Maliqi, Avdyl Aliu (LDK), Selami Xhemajli (AAK) dhe të tjerët nga pozita, por duke tërhequr vërejtjen që kjo rritje të mos bëhet nëse mungojnë mjetet, sepse nuk do të ishte mirë që studentëve t`iu mbetemi borxh sikur vitin ekaluar, për çka sivjet duhet të ndahen 20 mijë euro.
Kjo e ka nxitur nënkryetarin e Komunës, Rexhep Kadriu që të dalë në foltore dhe të njoftoj se kryetari i Komunës ka propozuar që shumën e mjeteve për bursa ta shtojë në 70 mijë euro. “Ne do të bëjmë çmos që këto mjete t`i gjejmë nga kursimet”, ka thënë Kadriu. Ky propozim u mirëprit nga këshilltarët komunalë dhe u votua në mënyrë unanime.

Kuvendi ka themeluar edhe Këshillin e Ekspertëve, i cili do të kujdeset për sigurimin e kushteve për planifikim të qëndrueshëm dhe të barabartë hapësinor të territorit të Komunës së Gjilanit, mbështetjes profesionale dhe shkencore të dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe dokumenteve tjera.
Këshilli i Ekspertëve përbëhet nga 9 anëtarë, që janë kuadër profesional, shkencor, publik dhe persona tjerë kompetent për planifikim hapësinor. Përbërja e këshillit duhet të reflektojë barazi gjinore dhe mundësi të barabarta.
Ndërkaq, një informatë për manifestimin “Flaka e Janarit 2014” e ka paraqitur drejtori i Kulturës, Bujar Haziri, i cili ka thënë se përmes këtij aktiviteti nderohen dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut deri në ditët e sotme.

Edicioni i sivjetmë, i 23-ti me radhë, u zhvillua brenda një periudhe tri javore 11–31 janar 2014 dhe llogaritet ta kenë ndjekur mbi 7 mijë persona, qoftë si pjesëmarrës në ndonjërën prej pesë shtyllave të tij, ose qoftë si vizitorë, nga të gjitha trevat kombëtare.
E veçanta e këtij manifestimi, sivjet ishte ulja e shpenzimeve për më shumë se 50 për qind, krahasuar me vitet e kaluara, ndërkohë që ka pasur ngritje të vlerave artistike, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se kostoja financiare e “Flaka e Janarit 2014” është 28,605 euro.
Po ashtu Kuvendi miratoi edhe vendimin, sipas kërkesë së DKRS-së për ndarjen e shumës prej 11.281 euro për Teatrin e qytetit, për të paguar obligimet e vitit 2013 ndaj këtij institucioni si dhe ka hapur mundësinë për të bërë zgjidhje të këtij problemi për këtë vit.

Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal ka dhënë sqarime rreth seancës së kaluar, duke thënë se arsyet e opozitës për braktisjen e seancës nga këshilltarët e PDK-së dhe as akuzat që më vonë i bëri PDK në drejtim të saj, nuk qëndrojnë, sepse ajo e ka respektuar rregulloren e punës së Kuvendit.
Ajo kërkoi nga këshilltarët që të jenë të përgjegjshëm në punën e tyre, që të mos turpërohen para qytetarëve për shkeljet e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat