Joformaliteti s'luftohet nga ata që e mbështesin

Ekonomi

Joformaliteti s'luftohet nga ata që e mbështesin

Më: 24 prill 2014 Në ora: 14:58

Lufta kundër ekonomisë joformale në Kosovë, ka nevojë për veprime konkrete dhe jo deklarime. Ekonomia joligjore apo evazioni fiskal, me vjet vazhdon të mbetet sfidë për autoritetet kompetente, por që asnjëherë nuk kanë munguar premtimet e institucioneve përkatëse se janë të përkushtuar që të luftojnë.
Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se për parandalimin e këtij fenomeni urgjentisht janë të nevojshme veprimet pa pasur nevojë deklarime.
Një studim i fundit për shkallën e ekonomisë joformale, realizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale - STRAS, thuhet se në vitin e kaluar ekonomia joligjore ka kaluar 40 për qind, apo thënë ndryshe “ gllabëron “ një buxhet të tërë.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se ka disa lëvizje të vogla në këtë drejtim, por megjithatë, prania e ekonomisë joformale vazhdon të dëmtojë buxhetin.
Ai, megjithatë, thekson se përveç deklarimeve, institucionet kompetente nuk mund ta luftojnë dukurinë, pasi, siç thotë ai, ekonomia jolegale nuk luftohet nga ata që e mbështesin këtë dukuri.
“Unë mendoj se vetë fakti që korrupsioni është në nivel institucional dhe shumë biznese, në mënyrë të tërthortë, apo pas tyre qëndrojnë 'peshqit e mëdhenj'. Kështu që, me këtë Qeveri nuk mund të luftohet korrupsioni dhe as ekonomia joformale".

"Kjo për arsye se korrupsioni nuk mund të luftohet nga të korruptuarit, dhe normalisht ekonomia joformale nuk mund të luftohet nga ata që mbështesin ose përdorin pozicionin e tyre institucional për t'i futur mallrat pa iu nënshtruar obligimeve fiskale”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, Lekë Musa, ish kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, shprehet se autoritetet përkatëse duhet të kenë një bashkëpunim më të mirë mes vete. Sipas tij, duhet të shpeshtohen kontrollet e inspektorëve në sektorin privat, kryesisht tek operatorët e derivateve të naftës, si dhe të fiskalizohen të gjitha bizneset.
"Deklarime ka pasur shumë, por joformaliteti ende qëndron në një shkallë të lartë, konkretisht brenda vendit, kryesisht te ndërmarrjet tregtare. Dhe, thjesht, autoritetet kosovare nuk po arrijnë që t'i fusin bizneset brenda kornizave ligjore, që t'i zbatojnë ligjet në përpikëri”, shprehet Musa.
Në anën tjetër, profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Gazmend Qorraj, thotë se ekonomia joformale krijon efekte negative për buxhetin, për investime, efekte negative në iniciativën e të bërit biznes, respektivisht dekurajimin e bizneseve të reja.
Për luftimin e këtij fenomeni, Qorraj thotë se nevojitet një koordinim institucional dhe shoqëror.

“Unë konsideroj se ekonomia joformale nuk mund të eliminohet në tërësi, por me rëndësi është që të krijohen mekanizmat për zvogëlimin e saj, domethënë duhet një koordinim institucional dhe shoqëror për luftimin e kësaj dukurie".

"Një mekanizëm që ndikon në zvogëlimin e ekonomisë joformale janë institucionet kosovare, por rol të rëndësishëm luajnë edhe mekanizmat evropianë të rendit dhe ligjit, të instaluara në Kosovë, por edhe mekanizmat qeveritar në kuadër të agjendës evropiane”, konsideron Qorraj.

Megjithatë, profesori Qorraj konsideron se institucionet qeveritare kanë një agjendë të ngjeshur politike krahasuar me agjendën e luftimit të ekonomisë joligjore.

Ndryshe, ditë më parë, ministri i Financave, Besim Beqaj, duke folur për luftimin e ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal, ka thënë se janë duke ndërmarrë reforma jo vetëm në agjencitë që mbledhin para për buxhetin, por edhe ato që kujdesen për zbatimin e ligjit.
Ai ka thënë se Task-Forca e krijuar nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, do ta ashpërsojnë luftën ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat