Rashiq: Do ta rrisim numrin e inspektorëve të punës

Ekonomi

Rashiq: Do ta rrisim numrin e inspektorëve të punës

Më: 24 prill 2014 Në ora: 13:35

Fuqizimi i kapaciteteve të Inspektoratit të Punës dhe rritja e numrit të inspektorë vlerësohet të jenë mjaftë të rëndësishme për sigurinë dhe shëndetin në punë, u tha në konferencën ndërkombëtare, dy ditore, të organizuar nga trupa ekzekutive e Inspektoratit të Punës dhe Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se do të rrisin numrin e inspektorëve duke vlerësuar se siguria dhe shëndeti në punë do të jenë një nga sfidat që do të angazhohet më së shumti.

“Gjithmonë punëdhënësit dhe punëtorët i kanë disa rezerva, veçanërisht rezervat ndodhin kur është fjala për inspektoratin e punës, pra inspektorati është aty për t’ju ndihmuar jo për t’i dëmtuar, dhe ne me të vërtetë do të mundohemi të themelojmë një bashkëpunim me të gjithë punëdhënësit. Çelësi qëndron tek respekti i ndërsjellët, pranimi i përgjegjësive, pra punëdhënësit i kanë përgjegjësit e veta, duhet të jenë të vetëdijshëm për to”, shprehet ministri Rashiq.

Se është numër i pamjaftueshëm i inspektorëve tregon edhe, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, dhe thotë se për të zvogëluar papunësinë nevojitet të reduktohet tregu joformal dhe të forcohet sundimi i ligjit, duke shtuar se nevojitet të reformohen politikat e punësimit dhe të promovohet dialogu social.

“Shkalla e lartë e papunësisë tregon se ka disproporcio në mes të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si pasoj kjo i bënë punëdhënësit që mos t’i marrin masat që kushtojnë, të sigurimit, të kushteve të shëndetshme dhe të sigurta në punë. Në anën tjetër punonjësit nuk do t’i denoncojnë punëdhënësit e tyre për mos respektimin e ligjeve dhe rregulloreve të sigurisë dhe shëndetit në punë prej frikës së mos e humbin vendin e punës”, deklaron kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi.

Sipas koordinatores së Programit në Fondacionin Friedrich Ebert, Besa Luzha, Inspektorati Punës ka kapacitete të kufizuara të funksionimit dhe se duhet të angazhohet më shumë për të siguruar që ligji po zbatohet dhe siguria dhe shëndeti në punë të implementohen në vendet e punës kudo në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat