Rruga e Kombit, tani kalim me pagesë

Ekonomi

Rruga e Kombit, tani kalim me pagesë

Më: 24 prill 2014 Në ora: 08:40

Nis realizimi i projektit të vendosjes së pagesës për kalimin e automjeteve në Rrugën e Kombit, që u ideua në kohën e qeverisë Berisha, por nuk u zbatua. Qeveria ka vendosur dje miratimin në parim të amendamentit nr.1 të marrëveshjes financiare të shërbimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC-institucion financiar i Bankës Botërore), për zbatimin dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në autostradën Milot - Morinë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Kjo nënkupton se kalimi në rrugën nga Miloti në Morinë së shpejti do të bëhet me pagesë. Për këtë projekt po punohej që kur në pushtet ishte Berisha. Sipas tij, segmenti rrugor Milot-Rrëshen-Kalimash-Morinë do të mirëmbahet nga sektori privat. Ky projekt asistohet nga IFC, në rolin e këshilltares ligjore të Ministrisë së Transportit.

Mendohet se tarifa e qarkullimit për automjetet e vogla do të jetë në kufirin e 5 eurove, ndërsa për ato me tonazh më të madh në rreth 10 euro. Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve do të duhen të paktën gjashtë muaj kohë që kjo tarifë të vendoset që nga koha kur do të shpallet kompania fituese e koncesionit të mirëmbajtjes. Segmenti Milot-Morinë ka një distancë prej 114 kilometrash dhe ka filluar të vuajë dëmtime jo të vogla. Vetëm për mirëmbajtjen e tunelit nevojiten rreth 2 milionë euro në muaj.

Rruga ka kushtuar dyfish në krahasim me koston fillestare. Kontrata fillestare për Shqipërinë ishte 418 milionë euro, por sipas ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, shifra totale kap shumën e 950 milionë eurove.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat