Turqia mbështet bizneset që duan të investojnë në Kosovë

Ekonomi

Turqia mbështet bizneset që duan të investojnë në Kosovë

Më: 22 prill 2014 Në ora: 17:39

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Harmonizim me BE-në të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, të kryesuar nga Mehmet S. Tekelioğludo.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin që dy vendet kultivojnë ndërmjet tyre në shumë aspekte dhe u ndanë përvojat e përbashkëta në sfera të ndryshme, veçanërisht në procesin e integrimeve evropiane.

Kryetarja e Komisionit për Integrimeve Evropiane, Vjosa Osmani, duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve nga Turqia, vlerësoi lart përkrahjen e shtetit turk për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe zgjerimit të njohjeve për pavarësinë e saj. Po në këtë frymë, Osmani vlerëosi edhe rolin e komunitetit turk në Kosovë, për të cilin tha se shërben si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane bëri një përshkrim hapave të cilët i ka bërë Kosova në procesin e integrimit evropian të saj, për të cilin tha se ekziston një unitet i të gjithë spektrit politik të Kosovës. Në këtë aspekt, ajo foli edhe për rolin që ka Kuvendi, veçanërisht në miratimin e legjislacionit përkatës.

Kryetari i Komisionit për Harmonizim me BE-në të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mehmet S. Tekelioğludo, pasi falënderoi anëtarët e Komisionit për ftesën dhe pritjen, vuri në pah interesimin e Ankarasë zyrtare për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit, në funksion të shkëmbimit të përvojave dhe rritjes së bashkëpunimit. Z. Tekelioğludo potencoi përkrahjen e politikës turke në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe kontributin që ajo ka dhënë dhe po jep në zgjerimin e njohjeve të pavarësisë së saj, veçanërisht nga pesë vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë këtë.

Kreu i Komisionit për Harmonizim me BE-në të Kuvendit të Madh Kombëtar turk foli edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ndërsa shtoi se qeveria turke përkrah firmat nga Turqia të cilat dëshirojnë të investojnë jashtë vendit.

Edhe anëtarë të tjerë të delegacionit nga Turqia, përfaqësues të partive opozitare, potencuan unitetin e politikës dhe parlamentit turk në raport me Kosovën dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

Nëkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh zv/kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti, potencoi rëndësinë e kultivimit të bashkëpunimit ndërmjet dy komisioneve homologe, parlamenteve dhe shteteve përkatëse. Haliti vuri theksin edhe te leverdia e kompanive turke për investime në Kosovë, nga të cilat, sipas tij, do të përfitonin të dyja palët.

Sikurse nënkryetari Haliti, ashtu edhe deputetet Alma Lama e Suzan Novorbërdali, u ndalën në raportin e Dik Martit, për të cilin u vlerësua se tenton të njollosë imazhin e Kosovës dhe luftën çlirimtare të popullit të saj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, njëherazi kërkuan përkrahjen e përfaqësuesve turq në Këshillin e Evropës, në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm evropian.

Në funksion të shkëmbimit të përvojave dhe në frymën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy komisioneve, mysafirët nga parlamenti turk ftuan Komisionin për Integrimeve Evropiane të Kuvendit të Kosovës për vizitë në Turqi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat