Pritet lehtësimi i formaliteteve doganore Kosovë-Shqipëri

Ekonomi

Pritet lehtësimi i formaliteteve doganore Kosovë-Shqipëri

Më: 22 prill 2014 Në ora: 10:50

Shumë shpejt do të hiqen formalitetet doganore në mes të Kosovës e Shqipërisë, që janë pengesë e qarkullimit të shpejt të mallrave. Kështu ka thënë në një prononcim për Radio Kosovën, drejtori i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna.
Ankesat e bizneseve kosovare për pritje të gjata gjatë eksportit të produkteve të tyre për në Shqipëri do të përfundojnë shumë shpejt. Sipas drejtorit të doganave Lulzim Rafuna, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pranuar se më lehtë në Shqipëri po eksportojnë prodhuesit nga Serbia se ata nga Kosova:
“Më lejoni të citojë deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë në mbledhjen e dy qeverive që kishim në Kukës, që procedura, përkatësisht qarkullimi i mallrave më lehtë po realizohet me Serbinë se sa me Kosovën”, tha ai.
Rafuna ka marrë përkrahje edhe nga homologia e tij nga Shqipëria Elisa Spiropali, e cila ka pranuar se janë më shumë se 15 agjenci që kërkojnë licenca të ndryshme në vendkalimet doganore të Shqipërisë.
“Poashtu unë mësova nga eksportuesit tanë se ata duhet të presin deri në 5-6 ditë për një analizë e cila duhet të vijë nga Tirana”, tha Rafuna.
Drejtori i Doganave të Kosovës thotë se homologia e tij rregullimin e kësaj çështjeje e ka marrë me përkushtim.
“E mira është që në Shqipëri sidomos në dogana ekziston një frymë shumë pozitive, edhe drejtoresha e doganave e ka marrë shumë me përkushtim që do ta diskuton me ministrinë e Financave dhe me kryeministrin e Shqipërisë që të ndërmerren veprime të prekshme menjëherë që në muajt e parë të kësaj periudhe, pra gjatë muajit maj ose prill”, tha Rafuna.
Veprimet e prekshme sipas drejtorit Rafuna janë që mallrat të qarkullojnë pa asnjë procedurë doganore.
“Për arsye se sistemet elektronike që i kemi në fuqi në Kosovë e në Shqipëri, mundëson që gjithçka të shkëmbehet në mënyrë elektronike dhe malli do të qarkullojë në periudhë shumë të shkurtë, rreth 10 minutëshe, në dy vendkalime doganore pa asnjë procedurë doganore deri sa të shkon në destinacionin e fundit për ku është e destinuar”, tha ai.
Këto zhvillime rrjedhin nga marrëveshja e nënshkruar në Prizren, gjatë mbledhjes së qeverive të Kosovës e të Shqipërisë, potencoi Rafuna, sipas të cilit, shumë shpejt do të realizohen takimet e bizneseve të Kosovës e të Shqipërisë ku do të jenë prezentë edhe të gjitha agjencitë doganore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat