Miliona mallra të konfiskuara asgjësohen

Ekonomi

Miliona mallra të konfiskuara asgjësohen

Më: 20 prill 2014 Në ora: 14:32

Janë mbi 1.2 milion euro mallra të konfiskuara nga Doganat e Kosovës vetëm gjatë vitit 2013. Mallrat e konfiskuara, thonë për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Doganave të Kosovës, në të shumtën e rasteve asgjësohen, por ka edhe të tilla që shiten në ankande publike.
Statistikat e përgjithshme të asgjësimeve për vitin 2013 janë produkte ushqimore të asgjësuara nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë. Vetëm në vitin e kaluar shifra e produkteve të asgjësuara, shprehur në kilogram, kalon 1 milion, ndërsa në litra e kalon mbi 400 mijë litra.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tregon për Radion Evropa e Lirë se asgjësimi i mallrave bëhet konform rregullave të përgjithshme të ambientit, derisa shitja në ankande publike ndihmon në rritjen e të hyrave të doganave.
“Dogana e Kosovës konfiskon mallra të ndryshme, por varësisht nga natyra e tyre, dallon edhe trajtimi. Kur konfiskojmë mallra ushqimore, autoritetet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë ato, të cilat vendosin lidhur me trajtimin e atyre mallrave. Mallrat kryesisht shiten përmes ankandeve publike, për mallra që lejon ligji të shiten, kurse një pjesë e mallrave shkatërrohen nëse paraqesin rrezik potencial”, thotë Stavileci.
Me udhëzimin administrativ mbi trajtimin e mallrave të ndalura dhe të konfiskuara të Doganave të Kosovës, asgjësimi duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme dhe në vende të caktuara, të cilat i përshtaten llojit dhe viteve të mallit.
Mallrat e asgjësuara duhet përgjithmonë të bëhen të papërdorshme për qëllime të përdorimit të mëtutjeshëm nga ajo për të cilën kanë qenë fillimisht të destinuara.
Në udhëzimin administrativ, ndër të tjera, thuhet se mallrat e ndjeshme, të cilat nuk mund të përdoren apo të shiten dhe përdorimi i të cilave është i ndaluar me ligjet në fuqi, duhet t’i nënshtrohen procedurës së asgjësimit.
Stavileci tregon se janë miliona euro mallra, të cilat konfiskohen në vit nga autoritetet doganore
“Vetëm në vitin 2013, Doganat e Kosovës kanë konfiskuara mallra të ndryshme, kurse vlera e këtyre konfiskimeve shkon në 1.2 milion euro, kemi ngritur 151 kallëzime penale dhe kemi shqiptuar 862 kundërvajtje doganore”, bën të ditur Stavileci.
Për asgjësimin e mallrave ushqimore të konfiskuara nga Doganat e Kosovës merret Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit.
Asgjësimet kryhen në deponitë rajonale ose komunale të mbeturinave, varësisht prej vendndodhjes se rastit.
Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Lamir Thaçi, në një prononcim dërguar nëpërmjet postës elektronike, thotë për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e asgjësimit të produkteve ushqimore, ka ndihmuar edhe Komisioni Evropian.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me qëllim të zgjidhjes së çështjes së nënprodukteve shtazore, qysh nga viti 2008 me ndihmën e Komisionit Evropian, ka arritur të zhvillojë projektet për ndërtimin e një fabrike të asgjësimit dhe përpunimit të këtyre nënprodukteve shtazore, e cila me financim nga BE-ja, do të fillojë ndërtimin këtë vit apo në vitin e ardhshëm - kjo varet nga dinamika e përfundimit të projektimit”, shton Thaçi.
Deponitë ku bëhen asgjësimet e mallrave të konfiskuara, të cilat paraqesin rrezik, tregon Thaçi, janë të vendosura në një largësi optimale jashtë zonave të vendbanimeve, tokave të punës, si dhe niveli i ujërave nëntokësore ndodhet në thellësi optimale për të parandaluar ose zvogëluar mundësinë e kontaminimit të tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat