Punësimi varet nga zhvillimi i ndërmarrjeve

Ekonomi

Punësimi varet nga zhvillimi i ndërmarrjeve

Më: 19 prill 2014 Në ora: 14:07


Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike theksojnë se duhet të bëhet përkrahje më e madhe institucionale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Zhvillimi i këtyre bizneseve, konsiderojnë ata, është mënyra më e mirë për të ndihmuar ekonominë e vendit dhe, rrjedhimisht, hapjen e vendeve të reja të punës.
Ditë më parë, Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës, kanë bërë të ditur se planifikojnë të ndajnë 4 milionë euro grante për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ata që duan të përfitojnë grante, duhet që më së largu deri më 16 maj të aplikojnë me projektet e tyre.
Vlera e granteve për ndërmarrjet mikro është nga 10 mijë deri në 25 mijë euro, ndërsa për ato të vogla dhe të mesme minimumi është 60 mijë, ndërsa maksimumi 200 mijë euro.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se përkrahja që pritet t’iu jepet këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është një mundësi e madhe për rritjen e zhvillimit ekonomik në vend.
“Kompanitë e vogla dhe të mesme në Kosovë thuajse janë të përfshira në aktivitete të ndryshme me një përqindje rreth 80 për qind dhe këto e përbëjnë edhe ekonominë e Kosovës edhe të hyrat në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, por edhe mundësitë që japin për punësim të ri, por që për këto ndërmarrje nuk bëhet sa duhet në kuptimin e subvencionimit”, thekson Shahini.
Edhe në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të NMV-ve, në Kosovë 2012-2016 me vizion 2020”, thuhet se 98 për qind e bizneseve janë mikro-ndërmarrje.
Nga këto ndërmarrje, mbi 50 për qind janë të përqendruara në tregti më pakicë, transport, deponim dhe distribucion, 14 për qind produkte ushqimore, ndërkaq 9 për qind, si hotele dhe restorante.
Zhvillimi i këtyre bizneseve, vlerëson Shahini, është mënyra më e mirë e uljes së shkallës së papunësisë në Kosovë, e cila kalon mbi 40 për qind.

“Përkrahja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të fokusohet në ata sektorë ku ka mundësi më të mëdha të punësimit, siç janë sektorët e prodhimtarisë. Besoj që kjo do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e ekonomisë dhe rritjen e punësimit”, vlerëson Shahini.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Ymer Havolli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës duhet të respektojnë legjislacionin për zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve, pasi që, siç shprehet ai, mbështetja në këto biznese, do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Edhe në Kosovë, edhe në Evropë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë faktor kyç i zhvillimit ekonomik. Pjesa kryesore e zhvillimit në shtete që kanë pasur rritje më të mëdha ekonomike, veçmas Turqia dhe Kina, sektorin e ekonomisë e kanë mbështetur në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thekson Havolli.
Profesori Ymer Havolli thotë se në Kosovë është një rrethinë më problematike, e cila po e pengon në masë të mjaftueshme zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve, si dhe po e pengon fluksin e investimeve të jashtme të futjes në Kosovë.
“Rrethina legjislative ekziston, por respektimi i kësaj rrethine legjislative ende nuk është funksionale për të qenë funksionale këto ndërmarrje do ta kryenin funksionin e tyre në mënyrë shumë të mirë dhe do ta gjenin veten në një konkurrencë të shëndoshë jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë shtetit”, vlerëson Havolli.
Bizneset në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë, pasi që sipas tyre, me rritjen e shitjes së prodhimeve vendore, përpos që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht përfiton shteti nga mbledhja e tatimeve dhe punësimi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat