Kosova ka treg për kulturat e reja buqësore

Ekonomi

Kosova ka treg për kulturat e reja buqësore

Më: 18 prill 2014 Në ora: 16:59

Me ofrimin e këshillave bujqësore dhe mbështetjes financiare, fermerët vendorë po arrijnë që përveç kulturave tradicionale, të kultivojnë edhe shumë kultura të reja bujqësore. Njëra ndër këto kultura është edhe asparagu, për kultivimin e së cilës vendi ynë ofron kushte të përshtatshme klimatike dhe si kulturë ka potencial të jetë mjaft profitabile. Mbështetjen financiare për kultivimin e kësaj kulture bujqësore e ka dhënë programi i USAID-it “Mundësitë e reja për bujqësi” dhe deri më tash ka përkrahur 11 fermerë për mbjelljen e 10.6 hektarëve me asparag. Këto të dhëna janë bërë të ditura të premten në Prishtinë, gjatë promovimit dhe degustimit të asparagut.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, vlerësoi se puna e bërë bashkë me USAID-in dhe donatorët e sektorit ka ndikuar në ndryshimin e mendësisë së të bërit agrobiznes, ku sipas tij, me mbështetjen e dhënë kanë bërë që njerëzve brenda sektorit t’u hapen shtigje të reja, ndërsa atyre që nuk kanë qenë pjesë e sektorit, iu kanë dhënë mundësi që të përfshihen në këtë sektor fitimprurës.

“Unë konsideroj se gjatë viteve të fundit, sidomos me USAID-in, kemi pasur mundësinë që të krijojmë shtigje të reja për fermerët dhe në mënyrën më të mirë të mundshme kemi realizuar bashkërisht jo në tërësi, por në masë të madhe dy objektiva, atë që lidhet me zëvendësimin e prodhimeve të importuara dhe atë që lidhet me rritjen e potencialit eksportues të disa prej kulturave bujqësore me vlerë të shtuar. Dhe, më e mira është që sot ka shumë fakte dhe numra që dëshmojnë se ajo çka kemi punuar me USAID-in dhe me gjithë partnerët e tjerë ka bërë mjaft ndryshime dhe kthesa pozitive në sektorin e bujqësisë, ku njëri prej këtyre ndryshimeve është edhe rritja e numrit të agrobizneseve, nga 164 sa ishte në vitin 2009, në 780 të tilla në vitin 2013”, ka thënë ministri Stavileci.

Drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, ka thënë se përmes programit, “Mundësitë e reja për bujqësinë”, kanë arritur të ndihmojnë shumë fermerë për kultivimin e shumë kulturave të reja bujqësore, në mesin e tyre edhe asparagun.

“Asparagu si një kulturë e re bujqësore është mundësuar nga programi ynë, ku përmes tij kemi përkrahur 11 fermerë për mbjelljen e 10.6 hektarëve me asparag dhe krahas kësaj ne do të fillojmë të zgjerohemi edhe më tej me përkrahjen tonë”, ka thënë Shauket.

Ndryshe, asparagu është një bimë barishtore, e cila në Kosovë kultivohet kryesisht në komunën e Pejës, Obiliqit, Vushtrrisë, Mitrovicës, Lipjanit, Istogut, Prishtinës dhe Kamenicës. Prodhimtaria e asparagut gjatë këtij viti arrin në 600 kilogramë dhe deri më tash kultivuesit e saj kanë arritur të shesin rreth 400 kilogramë asparag në tregun vendor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat