Borxhi ndaj biznesit, ndahen 33 mln USD, MF: Ja kush përfiton

Ekonomi

Borxhi ndaj biznesit, ndahen 33 mln USD, MF: Ja kush përfiton

Më: 18 prill 2014 Në ora: 07:41

Ministria e Financave ka çelur një fond prej 33 milionë dollarësh për shlyerjen e faturave të papaguara ndaj kompanive private të kontraktuara nga qeveria e mëparshme. “Gazeta Shqiptare” publikon listën e 156 kontratave, të cilat janë likuiduar nga ministria bashkë me emrat e kompanive që kanë kryer punimet apo shërbimet.

Në listë janë parashikuar gjithashtu dhe shumat e ekzekutuara për secilën kontratë, totali i të cilave është 3,2 miliardë lekë (afërsisht 33 milionë dollarë). Dikasteri bën gjithashtu me dije se të gjitha bizneset në lisë duhet të marrin masat për tërheqjen e shumave. Pjesa më e madhe e kontratave në fjalë përbëhet nga punime të kryera për ndërtime rrugësh, por nuk mungojnë as ato për blerje pajisjesh spitalore apo pajisje zyrash për institucionet. Borxhet e prapambetura që qeveria ka ndaj biznesit në total janë përllogaritur në vlerën e 72,6 miliardë lekë, ndërkohë që në bazë të strategjisë së miratuar tashmë, ato do të shlyhen për 3 vjet, ku vetëm për vitin 2014 janë parashikuar të shlyhen rreth 35 miliardë lekë.

Deri më tani, ky dikaster ka zhbllokuar rreth 160 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët e investimeve publike, rimbursimit të TVSH dhe atij energjetik. Ndërmarrja e kësaj nisme e detyroi Qeverinë shqiptare të merrte një kredi në bazë të një marrëveshjeje, që u arrit në fund të vitit të kaluar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vlera e kësaj kredie është 330 milionë euro dhe do të disbursohet brenda 3 viteve. Në bazë të strategjisë së qeverisë, dikasteri i Financave pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e borxheve të prapambetura ndaj biznesit, por edhe parandalimin e krijimit të borxheve të reja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat