Eurozonë, inflacioni 0.5% në mars

Ekonomi

Eurozonë, inflacioni 0.5% në mars

Më: 17 prill 2014 Në ora: 23:36

Rënia e inflacionin gjatë Marsit në nivelin më të ulët që nga Nëntori i vitit 2009 u konfirmua zyrtarisht edhe nga Zyra Europiane e Statistikave, Eurostat.
Ky raport ka shtuar më tej presionin mbi Bankën Qendrore Europiane për të ndërhyrë pasi çmimet nuk po rriten. Norma vjetore e inflacionit në 18 vendet që përdorin monedhën euro, ra në 0.5% në Mars nga 0.7% që ishte në Shkurt. Ky është muaji i gjashtë me radhë që inflacioni qëndron poshtë 1% dhe presidenti i BQE-së Mario Draghi e quan “zonë e rrezikshme”.
Ndërsa inflacioni bazë, që përjashton energjinë, ushqimin, alkolin dhe duhanin ra në 0.7% nga 1% që ishte në shkurt. Analistët mendojnë se gjatë muajit prill inflacioni do të shënojë rritje për shkak se çmimet e udhëtimeve rriten gjatë periudhës së Pashkëve. Gjatë muajit mars, rritjen më të madhe të çmimeve e regjistroi duhani, restorantet dhe baret, por gjithashtu edhe qumështi, djathi dhe vezët. Ndërsa çmimet ranë për ngrohjen, telekomunikacionet dhe karburantet. Edhe ndryshimi i inflacionit mes vendeve anëtare vazhdon të jetë i thellë.
Në Greqi dhe Qipro, inflacioni rezultoi në -1.5 dhe -0.9 respektivisht. Ndërsa në Austri dhe Maltë inflacioni qendroi në 1.4% dhe në Gjermani 0.9%, por megjithatë shumë larg objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Europiane. Politikëbërësit e BQE-së kanë deklaruar vazhdimisht se banka është e gatshme të ndërmarrë masa shtesë për t’u siguruar se inflacioni nuk do të qendrojë i ulët për një kohë të gjatë. Në samitin e G20, në Uashington, Presidenti Mario Draghi shprehu sheqetësimet në lidhje me euron e fortë, që preson çmimet e brendshme. Forcimi i euros ndaj dollarit amerikan i bën importet më të lira dhe ul çmimet që europianët paguajnë për mallra dhe shërbime.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat