Po rritet numri i agrobizneseve

Ekonomi

Po rritet numri i agrobizneseve

Më: 17 prill 2014 Në ora: 17:45

Bujqësia, që dikur ishte vetëm një veprimtari tradicionale, tashmë po del të jetë njëra prej veprimtarive komerciale më në rritje. Viteve të fundit është duke u cilësuar edhe si një biznes mjaft i leverdishëm.

Në bazë të të dhënave zyrtare, nga 164 biznese me veprimtari bujqësore dhe pyjore sa kishte në 2009, numri i tyre është rritur në 780 në vitin e kaluar. E kjo për institucionin përkatës, po shihet edhe si tregues i mirë i komercializimit dhe i orientimit të sektorit gjithnjë e më shumë drejt kërkesave të tregut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se është rritur edhe mbulueshmëria e tregut të brendshëm me produktet vendore.

“Nëse reflektojmë në të kaluarën, shumë pak na duhet për të dalluar ndryshimin. Disa vite me herët, të gjitha hapësirat në supermarketet tona të produkteve të qumështit dhe bylmetit kanë qenë të mbushura me produkte të importit, ndërkaq tash dominohen prej prodhimeve vendore", ka theksuar ai.
"Shumë rrallë kemi mundur të hasim në ndonjë produkt vendor nëpër supërmarkete, kurse sot ato në linja të ndryshme janë domonante, shihni si shembull jogurtin dhe djathin i freskët apo edhe produktet e përpunuara të pemëve dhe perimeve”, thotë Behramaj.

Ai thotë se nëse analizohet struktura e shkëmbimeve tregtare, atëherë shihet se te produktet bujqësore kemi një rritje 100% të eksportit, nga 17 milionë euro sa ishte në vitin 2007, në 34 milionë euro në vitin 2013.

Ndërkaq, sipas tij, shumë më inkurajuese është gjendja, nëse shihet sasia e importuar, e cila është rreth 37% më e vogël se në vitin 2007.
“Pa kurrfarë hezitimi mund të konkludojmë se një pjesë e tregut që në të kaluarën është mbuluar me produkte të importuara, tash është zëvendësuar dhe po mbulohet me produktet vendore”, thotë ai.

Në kuadër të lehtësirave fiskale për bujqësinë dhe përpjekjeve institucionale për të zvogëluar informalitetin në këtë sektor, tashmë është duke u zbatuar edhe pakoja e re fiskale, e cila parasheh heqjen e TVSH-së për prodhimtarinë primare bujqësore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat