Qeveria pritet të vendosë për pushim të tatimeve për investimet e reja

Ekonomi

Qeveria pritet të vendosë për pushim të tatimeve për investimet e reja

Më: 17 prill 2014 Në ora: 09:29

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të marrë vendim për pushimin e tatimeve për investimet e reja, prej 3 deri në 7 vjet varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve. Ky hap, ndonëse i vonuar, pritet të ndikojë në nxitjen e investimeve të reja në Kosovë, thonë zyrtarët. Kurse njohës të çështjeve ekonomike thonë se autoritetet duhet të fokusohen më shumë tek siguria e investimeve.

Me qëllim të nxitjes së investimeve të reja në Kosovë qeveria e vendit së shpejti do të marrë vendim për pushimin e tatimeve për periudha të ndryshme, varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i personave që do të punësojnë. Kryeshefi i Agjencisë për promovimin e investimeve në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Valdin Lluka, thotë për Radio Kosovën se këtë propozim e kanë bërë në Ministrinë e Financave para tre vjetësh, dhe ai është hap mjaft i mirë për tërheqjen e investimeve.
“Është përfundimisht një lajm shumë i mirëpritur për ne, sepse ndonëse pak i vonuar, duke konsideruar që ka shtete në rajon që e kanë që disa vite këtë mjet promovues, sidoqoftë do të na ndihmojë ne që ta përdorim si një mjet shtesë, mbi atë që kemi tash edhe zonat e lira ekonomike, që të bëjmë një punë më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë”, thotë Lluka.
Investitorët që investojnë prej 2 deri në 10 milionë euro dhe që krijojnë prej 30 deri në 150 vende pune do të lirohen nga tatimet për përiudhën prej 3 deri në 7 vjet. Propozimi është dërguar në qeveri, thotë Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të financave.
“Ne si ministri e Financave pas takimit që kemi pasur me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kemi përgatitur një propozim i cili i është dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ajo sipas kalendarit të obligimeve të veta do ta procedojë më tutje, ta aprovojë dhe më pas të shkojë nëpër procedurat tjera të parapara me ligj”, tha Baxhaku.
Njohës të çështjeve ekonomike thonë se çështja e tatimeve asnjëherë nuk ka qenë problem për investitorët që ta zgjedhin Kosovën si destinacion për investime. Drejtori i Institutit Gap, Agron Demi, thotë se autoritetet duhet të fokusohen në sfera tjera.
“Niveli i taksave prej 10 për qind për korporata dhe kompanitë që dëshirojnë me investuar në Kosovë nuk është problem që është përmendë edhe prej tyre. Problemi më i madh mbetet tek gjërat tjera, siç është siguria e investimeve dhe çështje tjera”, thekson Demi.
Investitorët e rinj do të lirohen nga tatimi në fitim të korporatave që është 10 për qind, dhe tatimi në vlerë të shtuar prej 16 për qind. Ndryshe, vlera e investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ka qenë 250 milionë euro, apo rreth 13 për qind më shumë se gjatë vitit paraprak.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat