Pacolli: Trepça po iu kthehet minatorëve

Ekonomi

Pacolli: Trepça po iu kthehet minatorëve

Më: 15 prill 2014 Në ora: 16:29

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka qëndruar të martën në Mitrovicë me ç’rast ka vizituar ndërmarrjen publike Trepça në Stan Tërg.

Investimet e para që do të ndodhin në Trepçë do të bëhen nga vetë financimi i kësaj kompanie tashmë publike dhe ato do të përdorën për riparimin e impianteve të flotacionit, ka theksuar Pacolli.
Sipas tij mineralet që nxirren, pas begatimit arrijnë një koncentrat mbi 60-65 për qind me përmbajtje të metalit që qon deri te komercializmi më i theksuar për hapjen e perspektivës së Trepçës.

Pacolli ka thënë se gjatë një takimi me strukturat e Trepçës dhe menaxherin kryesor i ka njoftuar këta të fundit me hapat që janë marrë dhe ata që do të merren ditëve të ardhshme kur Trepça do të konkretizohet si kompani publike. Ai ka thënë se Trepça u është kthyer atyre që e meritojnë.

“Trepça, nuk privatizohet, nuk jepet me koncesion, por u kthehet minatorëve dhe të gjitha gjeneratave të Kosovës që do të trajtohet në bazë të normave të tregut globalizues të mineraleve”, ka theksuar Pacolli.
Ndërkaq menaxheri i Kombinatit Trepça, Ahmet Tmava është shprehur i bindur se finalizimi i ligjit do ta qojë Trepçën drejtë perspektivës zhvillimore. “Ne si menaxhment jemi mobilizuar që t’i marrim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që prodhimi dhe funksionalizimi i njësive të caktuara të bëhet sa më shpejt”, ka thënë Tmava.
Sipas tij posa të aprovohet ligji dhe Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike, menaxhmenti do të dalë me kërkesa dhe projekte konkrete mbase edhe do të kërkohet ndihmë nga qeveria.
“Mendojmë se qeveria e ka për obligim të na mbështesë në fazën e parë derisa të funksionalizohemi. Jam i bindur se ndihmën do t’ua shpërblejmë duke i kthyer Trepçës, shkëlqimin që kishte dikur”, është shprehur Tmava.
Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Fadil Ismalji, duke i përgëzuar të gjithë të punësuarit dhe minatorët që me punë dhe sakrifica e mbajtën gjallë kompaninë 15 vite pas lufte, duke i ruajtur minierat, ka përkujtuar realizimet e më hershme të Trepçës.

“Në vitin 1930 Trepça ka prodhuar 80 mijë tonë xehe ndërsa këtë vit janë parapa të jenë 120-130 mijë ton. Pra jemi përafërt me vitet e 30-ta sa i përket realizimit”, ka thënë Ismajli duke përkujtuar se Trepça në vitin 1980 ka prodhuar diku 690 mijë tonë xehe, por siç ka thënë ai Trepça është duke punuar me kapacitete më të ulëta në krahasim me mundësitë që i ka Trepça.

Ismajli ka sqaruar se Trepça mund të zhvillohet përmes kredive të buta ngase akoma e ka namin dhe reputacionin e saj të mëhershëm. Sipas tij, kompanitë e mëdha të botës të cilat merren me prodhimin e xeheve e njohin Trepçën dhe janë të gatshëm të investojnë. Sa i përket borxheve që kreditorët e huaj kërkojnë nga Trepça, Ismajli pohuar se Trepça nuk do të ngarkohet me borxhe imaxhinare të fabrikuara që janë bërë gjatë viteve 90-99.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat