Katër milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Ekonomi

Katër milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Më: 12 prill 2014 Në ora: 16:41

Prishtinë, 12 prill - Ata që duan të përfitojnë grante nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës të cilët planifikojnë të ndajnë 4 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duhet që më së largu deri më 16 maj të aplikojnë me projektet e tyre.

Dirgin Banjska është pronar i një kompanie që prodhon dyer dhe dritare nga plastika dhe alumini që nga viti 2005. Ai thotë se, duke përfshirë familjarët, në këtë kompani punojnë 7 punëtorë. Banjska planifikon të rris numrin e punëtorëve dhe ta zgjeroj biznesin nga granti që synon ta marrë nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Tregtisë.

"Ne besojmë që së paku 4 punëtorë do të punësohen derisa tani për momentin kemi kapacitet për prodhimin e 20 dritareve standarde brenda ditës të përfunduara. Me disa plotësime ne shpresojmë që të arrijmë nivelin e 40 dritareve që është nivel shumë i mirë që do ta na ndihmojnë për eksportimin e produkteve tona në vendet e BE për të cilat jemi duke biseduar me afaristë të ndryshëm".

E ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme kanë afat për të aplikuar deri më 16 maj për grante që do të jepen në vlerë prej 4 milionë eurosh nga BE-ja dhe qeveria dhe do të implementohet nga organizatës ndërkombëtare për migrim në Kosovë IOM.

Christof Stock, Shef i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë tha: "pse po e bëjmë këtë? Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimi i kësaj ekonomie ka qenë i vështirë për Bashkimin Evropian. Që 20-30 vjet BE ka ndihmuar zhvillimin e politika për të promovuar këto ndërmarrje, dhe këtë po mundohemi ta bëjmë edhe këtu".
Bernard Nikaj, minsitër i Tregtisë dhe Industrisë, deklaroi se janë duke punuar me një grup të donatorëve që të lansojnë një skemë të grantimit të kredive me një vlerë prej afro 12 milionë eurosh e cila ka për qëllim që prap të lehtësojë qasjen në financa, prap këtu qeveria luan një rol aktiv në përkrahjen, promovimin dhe sendertimin e një skeme të tillë me qëllim të ndihmesës së sektorit privat.

Ndërkaq Jorge Baca, shef i misionit të IOM-it në Kosovë tha se "mund të pyesni pse IOM-i është i përfshirë në këtë projekt. Përgjigjja është e thjeshtë, papunësia. Ky është faktori kryesor dhe kjo çështje zgjidhet vetëm me ju, me sektorin privat. Natyrisht grantet nga BE dhe ministria do te kenë rol të rëndësishëm tek ju për rritjen e kapaciteteve".
Vlera e granteve për ndërmarrjet mikro është nga 10 mijë deri në 25 mijë euro ndërsa për ato të vogla dhe të mesme minimumi është 60 mijë ndërsa maksimumi 200 mijë euro. Të gjitha udhëzimet për aplikim por jo vetëm mund të merren në faqen e internetit të IOM-it.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat