Kosova drejtë krizës greke

Ekonomi

Kosova drejtë krizës greke

Më: 8 prill 2014 Në ora: 14:11


Qeveria e Kosovës rrezikon ta fusë vendin në një krizë të borxhit publik, të ngjashme me atë Greqisë. Kështu tërheqin vërejtjen njohës të ekonomisë, duke apeluar që të kihet kujdes me fonde investive dhe huat të cilat nuk gjenerojnë kthim të investimeve. Krejt kjo, pasi premtimet për investime nuk janë në linjë me nivelin e zhvillimit ekonomik

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dy muaj më parë ngrenë dorën për të miratuar 10 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto para do të përdoren si garanci për depozitat e kosovarëve në bankat komerciale në vend në rast rreziku.
Por, derisa depozitat do të sigurohen në vlerë deri 3000 euro, njohës të ekonomisë alarmojnë për një rrezik që i kanoset miliarda eurove të buxhetit të shtetit.

Kujdes me borxhin publik

Se Qeveria e Kosovës ka filluar të rrisë borxhin publik, tërheqë vërejtjen Ibrahim Rexhepi, drejtor i STRAS. Ai përmend letrat me vlerë për të cilat po paguhet nga taksat e qytetarëve dhe nëse shuma e borxhit publik arrin në nivelin që rrezikon mundësinë e pagesës nga buxheti, atëherë bie besimi në letrat me vlerë të qeverisë, apo, edhe nëse dikush pranon këtë rrezik, kërkon interes shumë më të lartë. “Kjo edhe më shumë ngarkon në borxhin publik”.

Aktualisht, sipas tij vendi nuk ka ndonjë rrezik të madh nga borxhi publik. Në dhjetor të vitit të kaluar qeveria kishte obligime afër 476 milionë euro, ose 9,1 për qind të BPV-së.

Krahasuar me vendet e tjera Kosova është në pozitë shumë më të mirë, meqenëse borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në mbi 65 për qind të BPV-së, Maqedonisë 25 për qind, Malit të Zi 44 për qind, Serbisë 42 për qind, Turqisë rreth 4 për qind, etj. Këto vende janë duke u përballur me probleme buxhetore dhe janë duke bërë përpjekje për të ulur këtë borxh.
“Mirëpo, në Kosovë është paksa shqetësues fakti se borxhi publik është në rritje. Ta zëmë në vitin 2009 ai merrte 6,5 për qind të BPV –së, ndërsa tash është 90 për qind më i lartë. Ai do të rritet edhe më tutje, ndërsa mund të hyjë në një fazë të rrezikshme, po që se ideja e kryeministrit për fondin për zhvillim realizohet duke huazuar paratë – pa marrë parasysh a janë ato nga privatizimit, apo si kursime për pensione”, thekson Rexhepi.

Edhe Halim Gjergjizi, njohës i ekonomisë nuk është optimist për rritje të mirëqenies në vend.
Ai thotë se nismat si fondi për punësim, medoemos do ta rrisë borxhin e jashtëm publik.

Sipas Gjergjizit kjo është rrezik ta fusë Kosovën në krizë, pasi Kosova nuk ka burime të sigurta për gjenerim të mjeteve për kthim të borxhit.
“Premtimet e kryeministrit për investime dhe fonde të tilla nuk janë në proporcion me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe rrezikojnë që Kosovën ta fusin në një krizë të ngjashme si ajo e Greqisë”, thotë Gjergjizi./Publiku.net/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat