INSTAT, viti 2013, rritja më e ulët ekonomike në një dekadë

Ekonomi

INSTAT, viti 2013, rritja më e ulët ekonomike në një dekadë

Më: 8 prill 2014 Në ora: 07:57

Ekonomia shqiptare i ka shpëtuar edhe vitin e kaluar recesionit, por ka “shpëtuar për qime” nga stanjacioni. Rritja ekonomike gjatë 2013-ës ishte 0.44 për qind, deklaroi dje, në një konferencë për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave Gjergji Filipi. Sipas tij, tre muajt e fundit të vitit të kaluar ka patur një rigjallërim, megjithatë parashikimet prej 3% të qeverisë Berisha apo madje 0.7 të institucioneve ndërkombëtare, kanë mbetur larg nga realizimi.
Ecuria
Rritja ekonomike gjatë vitit 2013 ishte më e dobët edhe krahasuar me parashikimet më pesimiste, sipas vlerësimit paraprak të Institutit të Statistikave, bazuar mbi të dhënat tremujore mbi vlerën e shtuar bruto. Sipas tyre, ekonomia shqiptare vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.44%, shifra më e ulët e 15 viteve të fundit.
Sipas INSTAT-it, tremujori i fundit shënoi një rritje me 1.1%, rritje që mjaftoi vetëm sa për ta mbajtur ekonominë shqiptare në territorin pozitiv të rritjes, por në vlera minimale. Ritmet më të larta të rritjes në tremujorin e fundit të vitit të kaluar i regjistruan degët e Postë-Komunikacionit dhe Industrisë, ndërsa j’u rikthyen rritjes, sektori i Tregtisë dhe Ndërtimi.

Sipas INSTAT-it, grupi i industrive u rrit me 7.18% në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012; aktiviteti i ndërtimit pati rritje prej 3.66%; grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 3,12%, ku tregtia u rrit 7,04% ndërsa hotelet dhe restorantet patën rënie me rreth 16.71%.
Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2013 u ul në mënyrë dramatike, me 27.92% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kurse Posta dhe Komunikacioni u shfaq me një rritje prej 8.36% në tremujorin e katërt të vitit 2013 përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012, tha Filipi.
Grupimi Shërbimet e tjera në tremujorin e katërt të vitit 2013 pati rënie me 1.76%.
Ndryshimet
Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës të vitit 2013, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 2.32 %.
Transportet pësuan një rënie rekord me afro 28%, rënie që, sipas drejtorit të INSTAT-it, i detyrohet mbylljes së aktivitetit të kompanisë vendase “Belle Air”. Gjithsesi, edhe përtej episodit në fjalë, transportet, së bashku me ndërtimin, janë sektorët me ecurinë më negative gjatë dy viteve të fundit.
Rishikimi
INSTAT thekson se ky vlerësim paraprak për vitin 2013 do të jetë pjesë e revizionimit në publikimin e ardhshëm, sepse në këtë vit Llogaritë Kombëtare në Shqipëri karakterizohen edhe nga revizionime metodologjike në kuadër të rekomandimeve të projekteve IPA 2007, IPA 2011 dhe ekspertizës së FMN. Shifrat e përpunuara do të publikohen në fund të muajit maj 2014.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat