Kosova përfaqësohet në Samitin Rajonal për Edukim në Ndërmarrësi

Ekonomi

Kosova përfaqësohet në Samitin Rajonal për Edukim në Ndërmarrësi

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 19:29

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila përfaqësoi Kosovën në Samitin Rajonal të organizuar nga Ministria e Ndërmarrësisë dhe Artizanateve dhe Ministria e Shkencës, Edukimit dhe Sportit të Republikës së Kroacisë në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe me Qendrën e Evropës Juglindore për Mësim në Ndërmarrësi (SEECEL). Ky samit, që u mbajt në Zagreb, u përqendrua në kartën e mësimit në ndërmarrësi si elemente kyçe për rritje dhe punësim.

Zëvendëskryeministrja Kusari – Lila tha edukimi dhe punëtorët e kualifikuar janë dy nga sfidat për të cilat duhet të punojmë më tepër “unë takoj pothuajse çdo ditë ndërmarrës, biznesmen të cilët kanë ankesa për staf të kualifikuar dhe kjo nuk është duke ndodhur vetëm në Kosovë por në gjithë rajonit. Prandaj është tejet e rëndësishme të bashkëpunojmë më qëllim të forcimit të edukimit dhe trajnimit të punëtorëve” – theksoi ajo.

Më tutje, zëvendëskryeministrja numëroj një sërë aktivitetesh që aktualisht po mbahen përmes Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme me qëllim të ngritjes së dialogut publiko-privat dhe promovimin e zhvillimit të ndërmarrjeve për të rinj dhe për gratë ndërmarrëse.

Ajo falënderoj edhe SEECEL për ndihmën që i ka ofruar Kosovës në futjen e lëndës së Ndërmarrësisë në shkolla dhe universitete: “Ne jemi duke i kushtuar një vëmendje të veçantë kulturës së ndërmarrësisë nëpër shkolla, sepse ky mund të jetë një nga parakushtet për zhvillimin e bizneseve, i cili është katalizatori kryesor për gjenerimin e punësimit- tha ministrja Kusari – Lila.

Para përfaqësuesve më të lartë të Evropës Juglindore zëvendëskryeministrja Kusari – Lila përmendi edhe raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes, ku Kosova ka bërë një kthesë të madhe pozitive duke u ngritë 19 pozita më lartë se sa vitin e kaluar.

Ky samit është hapur nga zëvendëskryeministri i Kroacisë Neven Mimica i cili tha se edukimi në ndërmarrësi është tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe se Kroacia me hyrjen në BE do të jetë zë i fuqishëm në përkrahjen e këtij procesi.

Pjesë e këtij samiti ishin edhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, Drejtoresha e programit SEECEL, ministra nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat