Dështon takimi mes koalicionit qeverisës grek

Ekonomi

Dështon takimi mes koalicionit qeverisës grek

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 19:21

Takimi i krerëve të koalicionit qeverisës në Greqi, nuk ka sjellë asnjë rezultat për arritjen e marrëveshjes mbi masat e kërkuara nga Trojka. Ndërhyrjet në marrëdhëniet e punës, kanë qenë pika kritike, të cilat janë kundërshtuar nga të dy përfaqësuesit e koalicionit qeverisës të Samaras, të PASOK dhe DIMAR.

“Deputetët e së Majtës Demokratike nuk do të votojnë për kërkesat e papranueshme të Trojkës dhe ky pozicion nuk do të ndryshojë", ka deklaruar Fotis Kuvelis.

Edhe kreu i PASOK, Evangelos Venizelos është shprehur se duhet t’i jepet fund marrëveshjes, që mban vendin në pasiguri. “Greqia nuk është një protektorat”, ka deklaruar ai. Kryeministri Samaras kërkon që masat të kalojnë me procedura emergjente, për shkak të presionit të kohës dhe për shkak të "rrjedhjeve" që pritet të ketë gjatë votimit të tyre në Parlament. Ai i dërgoi një mesazh të qartë grupit parlamentar të partisë së tij me përjashtimin e deputetit Nikos Stavrojani, pas deklaratave të tij se nuk do t’i votojë masat. Deri tani janë dy deputetë të Demokracisë së Re, të cilët kanë deklaruar qëndrimin e tyre “kundër”, dhe nuk dihet sa do të shkojë numri i tyre derisa të vijë dita për miratim në parlament. Të shumtë janë "rebelët" edhe në gjirin e PASOK, që kanë thënë publikisht se do të votojnë kundër dhe deklarata e sotme e kreut të DIMAR shton pasigurinë për votimin e paketës nga deputetët e partive të koalicionit. Në dispozicion të qeverisë greke mbeten vetëm disa ditë deri më 12 nëntor, datë kur do të zhvillohet takimi i Eurogroupit, dhe ku pritet të hapet "drita jeshile" për dhënien e këstit të radhës së ndihmës prej 31.5 mld euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat