“MZHE, vazhdon të monopolizojë tregun”

Ekonomi

“MZHE, vazhdon të monopolizojë tregun”

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 18:21

Konzorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID, privatizimin e distribucionit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e vlerëson si jo transparentë, të dëmshëm për vendin, por edhe qesharak. KOSID, po ashtu, vlerëson se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në emër të liberalizimit të tregut, vazhdon të monopolizojë tregun. Kjo në formën e shndërrimit të monopolit publik në monopol privat.

Kështu thuhet në komunikatën e KOSID-it të lëshuar për media, pas shitjes se distribucionit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Ky privatizim vazhdimisht ka kaluar në një proces tërësisht jo transparent nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Shoqëria civile asnjëherë nuk është lejuar të ketë qasje në dokumentet publike. Kjo do të thotë që këto dokumente asnjëherë nuk kanë qenë publike, pavarësisht se quhen të tilla”, thuhet në komunikatë.

Sipas KOSID, ky proces medoemos është dashur të presë vendimin e Ombudspersonit të IFC-së për rezultatin e auditimit që po i bëhet IFC-së për shkeljen e standardeve të punës në procesin e privatizimit të KEDS-it.

Po ashtu, KOSID konsideron se çmimi me të cilin shitet KEDS, është tejet i ulët dhe ofendues, 26.3 milion EURO, në ndërkohë që për 5 vjet (2007-2012) vlera e investimeve është 55 milion EUR. Kjo nënkupton se tatimpaguesit kosovar, paguajnë për investime nëpër korporata, të cilat bëhen gati për privatizim.

“Argumentet e tyre se ky proces duhet të vazhdojë, asnjëherë nuk kanë qenë me bazë dhe të arsyeshme, pikërisht për shkaqet e lartpërmendura. MZHE dhe çdo institucion tjetër qeveritar, është i thirrur të ruajë interesat e vendit dhe jo t’i shes për çmime qesharake”, thuhet më tej në komunikatë.

“Është momenti i fundit t’i themi jo mos transparencës, vendimeve të rrezikshme për qytetarin dhe veprimeve në emër të qytetarit- pa e pyetur qytetarin dhe në dëm të qytetarit. Privatizimi i KEDS-it, përmban të gjitha këto elemente dhe KOSID edhe njëherë fuqishëm kundërshton këtë proces dhe ndihet i ofenduar nga sjellja e institucioneve qeveritare për përmbylljen e tij në këtë formë”, thuhet në fund të komunikatës së KOSID-it.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat