Plotësohet kërkesa e Greqisë

Ekonomi

Plotësohet kërkesa e Greqisë

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 17:50

Inspektorët e treshes ndërkombëtare të FMN, BQE, BE kanë marrë vendimin se Greqia ka nevojë për dy vjet shtesë për të realizuar objektivat e bilancit dhe për këtë i kanë kërkuar ministrave të financave të Eurozonës t’i mundësojnë qeverisë greke dy vjecarin shtesë të kërkuar për të respektuar angazhimet. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta gjermane Der Spiegel”. Athina prej kohësh ka kërkuar shtyrjen me dy vjet të tjera deri në 2016-ën të kohës së realizimit të reformave për reduktimin e shpenzimeve publike pa fundosur më tej ekonominë e vendit. E përditshmja gjermane pa cituar burime konkrete shkruan se ekspertët e trojkës kanë arritur në këtë konkluzion pasi kanë analizuar në detaje llogaritë e Athinës. Me këtë lajm Greqia duhet të përfitojë pak frymëmarrje, dy vjet më shumë të kohës së realizimit të programit të kursimeve do të jenë të nevojshme për të reduktuar shpenzimet dhe reformat në kohë, pa goditur rëndë financat e qytetarëve. Gjithsesi për një informacion më të saktë duhet të pritet nga burime zyrtare dhe mbi të gjitha nga dhënia e përgjigjes së ministrave të financave të vendeve të tjera të monedhës europiane.
Ndër të tjera Der Spiegel shkruan se për të zgjatur periudhën e reformave strukturore deri në 2016 do tu kushtojë kreditorëve ndërkombëtarë 30 miliardë euro, një hendek financiar që mund të mbështetet vetëm nëse BQE do të marrë pjesë në blerjen e borxhit grek përmes bonove sovrane apo nëse do të vendoset për një paketë të tretë të ndihmës për Greqinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat