Kur rikthehet simboli i kapitalizmit, Coca- Cola

Ekonomi

Kur rikthehet simboli i kapitalizmit, Coca- Cola

Më: 11 shtator 2012 Në ora: 23:43

Coca- cola thotë se shet 1.8 miliard pije çdo ditë. Por për 60 vitet e fundit, asnjë e tillë nuk është shitur në Burma. Kjo për shkak të sanksioneve të tregtisë të SHBA, vendosur ndaj juntës ushtarake, që e ka drejtuar vendin nga viti 1962 deri në 2011.

Sipas BBC, sanksionet janë pezulluar pak muaj më parë dhe të hënën kompania Coca- Cola bëri me dije se ngarkesat e para kanë arritur në Burma dhe se prodhimi vendas do nisë shpejt.

Eksperti Tom Standage thotë se hyrja e kësaj pije është një simbol i fuqishëm.

“Momentin kur Coca- Cola nis dërgimin e pijeve, është momenti për të thënë se aty po ndodh një ndryshim real. Coca- Cola është gjëja më pranë kapitalizmit,” thotë ai.

Edhe Pepsi thotë se do të hyjë në Burma.

Aktualisht ka vetëm dy vende në botë ku nuk shitet Coca- Cola, në Kubë dhe në Korenë e Veriut.

Por Kuba ka qenë një nga tre vendet e para jashtë SHBA ku është prodhuar Coca- Cola në vitin 1906.

Por kompania u largua kur qeveria e Fidel Kastros nisi që të sekuestronte asetet e kompanive private në vitin 1960.

Në Korenë e Veriut thuhet se Coca- Cola shitet në një restorant, por kompania thotë se pijet mund të kenë hyrë përmes tregut të zi, ose përmes kanaleve zyrtare.

Pija e gazuar u krijua në vitin 1886 në Atlanta. Që në ditët e para kompania synoi të shtrihej në mbarë botën dhe brenda pak vitesh kishte fabrika në Europë dhe Azi.

Por rritja e madhe erdhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur pija shpërndahej për ushtarët. Më shumë se 60 fabrika ushtarake shërbenin për të prodhuar edhe pijen e gazuar.

Ajo u lidh shumë me patriotizmin amerikan. Por si simbol i kapitalizmit ajo u bë sidomos gjatë Luftës së Ftohtë.

Pija është vënë nën akuzë së fundmi për shkak se shumë njerëz thonë se po shton numrin e obezëve në botë.

Por 126 vjet pas lindjes, Coca Cola thotë se ka një rritje të fortë të shitjeve, sidomos në tregjet në zhvillim si në Indi, Kinë e Brazil.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat