Kriza në Eurozonë, ende larg përfundimit

Ekonomi

Kriza në Eurozonë, ende larg përfundimit

Më: 11 shtator 2012 Në ora: 17:35

Kriza në Eurozonë gjendet ende shumë larg përfundimit të saj por europianët duhet të kenë besim tek monedha e përbashkët. Kështu ka deklaruar zëvendës-drejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zhu Min, në takimin e forumit ekonomik botëror, që po zhvillon sesionin e verës në qytetin port kinez të Tianjin. "Ne total mund të them se kriza nuk ka përfunduar ende. Jemi ende në mes të saj dhe ka shumë rrugë për tu bërë. Por Europa po ecën në drejtimin e duhur dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. Ne duhet të kemi besim tek blloku i monedhës së përbashkët,” ka thënë ai.
Kriza në Eurozonë ka 3 vite që nuk po gjen një zgjidhje dhe një pjesë e madhe e investitorëve besojnë se ky rajon do mbyllë këtë vit në recesion për shkak të dështimit të politikëbërësve europianë në gjetjen e një zgjidhje dhe të prodhimit të një skeme të ringjalljes së ekonomisë. Për ekonominë globale është një lajm shumë i keq, një recesion i dytë në më pak se 3 vite për eurozonë. "Ne nuk duhet të nënvlerësojmë ndikimin negativ të krizës europiane për të gjithë botën”, ka deklaruar Zhu për një audiencë me udhëheqësit kryesorë të biznesit në rang global.
Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thellimi i krizës në Eurozonë në këtë pjesë të mbetur të vitit nënkupton reduktimin midis 1.5 deri në 2% të aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni si dhe rënie të aktivitetit me 1% për Kinën. Ndërsa për tregtinë aziatike, kriza në Eurozonë jep efekte akoma më negative pasi është blerësi i një të tretës së vlerës së shtuar të eksporteve të rajonit të Azisë. Ky fakt është konfirmuar në statistikat e fundit që kanë imponuar rritje të shpenzimeve nga qeveritë e rajonit për të ndikuar në konsumin e brendshëm si një formë që ekuilibron humbjet nga eksporti në Europë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat