ARKEP kërkon zbatimin e Kodit telefonik ose do të gjobiten operatorët

Ekonomi

ARKEP kërkon zbatimin e Kodit telefonik ose do të gjobiten operatorët

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 11:34
Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi

Kodi i ri shtetëror +383 ende nuk po zbatohet në plotësisht nga operatorët e telefonisë mobile, Vala dhe Ipko. Për këtë Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) iu pati dhënë dy afate shtesë, i fundit deri më 31 tetor që këta operatorë t’i largojnë nga përdorimi kodet e huaja +377 dhe +386, në të kundërtën do të gjobiten 7 përqind nga qarkullimi vjetor i tyre.

Megjithatë, të dy operatorët, Vala dhe Ipko, sërish kanë parashtruar kërkesa në ARKEP për vazhdimin e afatit të implementimit të kodit.

Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, ka thënë se të dy operatorët kanë paraqitur sërish disa sfida, të cilat i kanë në arritjen e këtij afati. Ai thotë se si ARKEP nuk i kanë trajtuar ato sfida në kuperimin formal të vendimmarrjes para ardhjes së afatit kohor, 31 tetor.

Gashi në një intervistë për kp ka inkurajuar të dy operatorët që të arrijnë këtë afat dhe gjithashtu kërkon nga ta që sa më shpejt ta përmbyllin procesin e largimit të kodeve aktuale, sepse sipas tij, kjo është në të mirën e tyre dhe imazhit të shtetit të Kosovës.

Gashi: Me kalimin e kësaj date, do t’i ndërmarrim të gjithë hapat ligjor

“Ne presim që më datën 31 tetor të këtij viti të implementohet kodi shtetëror telefonik 383 dhe të largohen kodet tjera nga përdorimi. Megjithatë jemi në një konsultim intensiv me Telekomin e Kosovës dhe me operatorin Ipko, si dhe me operator të tjerë më të vegjël që t’i adresojmë sfidat e tyre, në mënyrë që të arrihet kjo zgjidhje. Ne me kalimin e kësaj date, do t’i ndërmarrim të gjithë hapat ligjor që në rast se nuk implementohet kodi me kohë dhe ky implementim nuk ka ardhur si rezultat i sfidave që janë jashtë fuqisë së Telekomit, Ipkos dhe operatorëve të tjerë, atëherë në do të ndërmarrim masa që i parasheh ligji dënime për kalimin e këtij afati, ose mos zbatim të vendimeve të ARKEP-it”, theksoi Gashi.

Mungesa e mjeteve financiare në Telekom, sipas Gashit, nuk duhet të jetë arsyetim ose barriera kryesore për mos zbatim të kodit 383.

Gashi: Kriza financiare në Telekom nuk është arsyeshme për mos zbatim të kodit

“Ajo çka është sfiduese është largimi i kodeve aktual për shkak të kompleksitetit edhe teknik. Megjithatë, data e dhënë nga ARKEP për largimin e këtyre kodeve është data 31 tetor. Pas kalimit të kësaj date, do të shqyrtohet gjendja dhe do të merren masat në përputhje me ligjin... Sfidat financiare për gjithë sektorin, posaçërisht për operatorin Vala janë realitet, ku me sfida të tilla përballen shumë operatorë, edhe në rajon, kështu që nuk duhet të jetë kjo arsyeja për mos implementim të kodit... ne do të bëjmë të pamundurën që të arrihet ky afat”, ka thënë Gashi.

Kreu i ARKEP ka thënë se kërkesa e IPKO-së për zgjatjen e afatit është për çështje biznesore të saj, ndërsa kërkesa e Valës është për shkak të një kontratë ndërkombëtare që ka. Mirëpo, Gashi shtoi se ende nuk është marrë vendim për këto kërkesa nga ARKEP.

Gashi: Ipko kërkon afat shtesë për çështje biznesore, Vala për shkak të kontratave

“Një prej sfidave që Ipko e ka paraqitur është se me hapjen e dy kodeve, edhe kodit 383 dhe 386, ende një pjesë e madhe e trafikut kalon nëpërmjet kodit 386, dhe ata frikohen se nëse mbyllet ky kod, do të ketë mundësi që të ketë thirrje të humbura. Do të thotë është një aspekt biznesor që ata të kërkojnë një afat shtesë.  Mirëpo, ende nuk është trajtuar një kërkesë e tillë, do të presim datën 31 tetor dhe pas kësaj date do të marrim vendimet tona të cilat do të jenë plotësisht të bazuara në ligjin për Komunikime Elektronike dhe Postare…Kërkesa e Valës është e lidhur me zbatueshmërinë teknike të kodit në centralin e Valës dhe është e lidhur me kontratat ndërkombëtare që ata kanë, është e natyrës pak më ndryshe se IPKO-së”, theksoi Gashi.

Ai ka thënë se zbatimi i Kodit është prioritet shtetëror, sepse ARKEP dhe Qeveria e Kosovës janë të obliguara që të raportojnë për zbatueshmërinë e kodit, gjatë implementimit të MSA-së. 

Gashi: Dënimet deri në 7 përqind të qarkullimit vjetor

“Ligji për Komunikime Elektronike dhe Postare përcakton që autoriteti ka të drejtë që t’i dënoj operatorët për mos zbatim të vendimeve të ARKEP deri në masën maksimale prej 7 përqind të qarkullimit vjetor të një operatori. Këto masa janë radikale dhe bëhen për raste kur kemi të bëjmë me zbatim të qëllimshëm të vendimeve të rregullatorit. Megjithatë, zbatimi i Kodit është prioritet shtetëror, sepse ARKEP dhe Qeveria e Kosovës, në raportin për implementimin e MSA, raporton për zbatueshmërinë e kodit 383. Prandaj, është në shumë dokumente strategjike zbatimi i Kodit dhe si i tillë është prioritet shtetëror, andaj, kërkojmë që më shpejt të implementohet”, theksoi ai. 

Afati i përcaktuar më herët nga ARKEP për implementim ishte 1 qershori i këtij viti. Pastaj, afati dytë me kërkesë të operatorëve mobil ishte dhënë deri më 31 tetor. Ndryshe, vlerësohet se kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik, kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat