Rënien e vlerës së monedhave në vendet me ekonomi në zhvillim

Ekonomi

Rënien e vlerës së monedhave në vendet me ekonomi në zhvillim

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 22:00
Ilustrim

Fillimisht ishte Argjentina, e pasuar nga Turqia. Tani, investitorët dhe formuluesit e politikave janë duke ndjekur me shqetësim rënien e vlerës së monedhave të një numri vendesh me ekonomi në zhvillim, shumica e të cilave kanë borxhe të mëdha në dollarë.

Zhvlerësimi i madh i monedhave ka shkaktuar frikë për një përsëritje të krizës së tregjeve financiare aziatike të vitit 1997, apo të asaj të Meksikës në vitin 1994, të njohur si “efekti Tequila".

Mos është duke ardhur një situatë edhe më e keqe? Apo ndoshta një epidemi e rëndë financiare e krahasueshme me atë të vitit 2008?

Në muajin gusht, pesoja argjentinase ra me 29% ndaj dollarit amerikan, e pasuar nga rënia e lirës turke, me 25%. Randi i Afrikës së Jugut ra 10 për qind. Rupia indoneziane ra në nivelin më të ulët që nga viti 1997, kur ndodhi kriza financiare azatike, ndërsa monedha indiane ra në nivel të paparë ndonjëherë kundrejt dollarit.

Edhe në ditët e para të shtatorit, nuk ka patur ndonjë rritje të monedhave të këtyre vendeve.

Lira turke gjatë këtij viti ka rënë 40 % kundrejt dollarit amerikan duke shkaktuar alarm për qëndrueshmërinë e borxheve masive në dollarë, që ka vendi; nuk flitet vetëm për borxhin qeveritar, por kryesisht për borxhet që kanë bankat dhe bizneset.

Tregu i shkëmbimeve valutore është i trazuar: tregtuesit e askioneve janë duke ndjekur me shqetësim, nëse listës së vendeve të përfshirë nga kriza do t’i shtohen edhe të tjera, që mund të jetë një tregues i përhapjes së epidemisë. Në Afrikë ka disa vende me gjendje të brishtë ekonomike, si Angola, Gana, Etiopia dhe Mozambiku. …Dhe në skenarin më të keq, analistët financiarë thonë se listës mund t’i shtohen edhe vende me ekonomi më të zhvilluar, si Kili, Polonia dhe Hungaria, të cilat po ashtu kanë borxhe valutore, të barazavlerëshme me 50 për qind të prodhimit të tyre të përgjithshëm.

Borxhet e korporatave në vendet me ekonomi të mëdha në zhvillim janë shtuar së tepërmi, krahasuar me borxhet gjatë krizës financiare globale të vitit 2008. Sa më i madh të jetë borxhi, aq më e madhe është rënia e vlerës së monedhës.

Ekziston një mendim i përgjithshëm se tregjet e ekonomike në zhvillim po përjetojnë trazira. Si shkaktarë shihen tre faktorë: ndikimi i luftës tregtare Presidentit Donald Trump me Kinën dhe vende të tjera; rritja e interesave bankare në Shtetet e Bashkuara, që i ka bërë investitorët globalë të largohen nga tregjet në zhvillim, për të gjetur mundësi të tjera investimesh më me fitim; si dhe heqja dorë gradualisht nga politikat monetare të mbështetura tek interesat e ulta, të ndjekura nga Rezerva Federale në SHBA dhe Banka Qendrore në Europë, gjë që ka sjellë uljen e likuiditeteve dhe parave në qarkullim me interes të ulët, si për qeveritë, ashtu edhe për bizneset në ekonomitë në zhvillim.

Por a do të shkaktojnë këta faktorë një krizë të tregjeve financiare globale?

Marcus Ashworth, ekspert financiar i firmës Bloomberg, paralajmëroi javën e kaluar, se tregjet në zhvillim janë duke shfaqur shenjat e një krize financiare që rrezikon të përhapet.

Analistë të tjerë e vënë në pikëpyetje përhapjen e problemeve financiare edhe në shtete të tjera, duke thënë se secili prej vendeve kanë problemet e tyre individuale dhe përballen me sfida specifike; por, ata pranojnë se trazirat mund të shtohen, ndërsa Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara pritet t’i rrisë interesat disa herë gjatë këtij viti.

Revista britanike The Economist argumenton se dobësimi i monedhës në tregjet në zhvillim “nuk është shumë infektues” dhe se kriza mund të vihet nën kontroll.

Optimistët thonë se megjithë dobësimin e monedhave të Argjentinës dhe Turqisë, shumë prej vendeve me ekonomitë në zhvillim, janë mirë ekonomikisht: prodhimi përgjithshëm bruto i Indisë për shembull u rrit 8 për qind në muajin qershor; pesoja meksikane është e qëndrueshme dhe Meksika duket se i ka përfunduar negociatat tregtare me administratën Trump, një zhvillim ndaj të cilit tregjet kanë reaguar mirë.

Rreziku më i madh për tregjet në zhvillim është, megjithatë, se investitorët globalë mund të alarmohen kaq shumë nga paqëndrueshmëria e monedhave, saqë ata mund t’i injorojnë themelet e ekonomisë, duke u larguar nga vendet me ekonomi në zhvillim; kjo shkakton një rënie të monedhës së këtyre vendeve dhe nxit në mënyrë jo të drejtpërdrejtë një epidemi, duke keqësuar barrën e borxheve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat