Fermerët të indinjuar nga Qeveria për heqjen e masave mbrojtëse për pemët dhe perimet

Ekonomi

Fermerët të indinjuar nga Qeveria për heqjen e masave mbrojtëse për pemët dhe perimet

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 16:03
Ilustrim

As dy javë nuk shkuan dhe Qeveria shfuqizoi vendimin që obligon Doganën e Kosovës për zbatim të vendimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve, perimeve dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Asnjë sqarim zyrtar nuk është dhënë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për shfuqizimin e vendimit nga ana e Qeverisë për masat mbrojtëse, edhe pse kp ka tentuar të marrë përgjigje direkt nga ministri Bajram Hasani dhe zyra për Informim e kësaj Ministrie.

Nga Oda Ekonomike e Kosovës për vendimin për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime, është thënë se vendimi jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se mënyra më e mirë për përkrahjen e prodhuesve të pemëve, perimeve dhe qumështit, do të ishte sigurimi i konkurrencës fer, përmes mbikëqyrjes më të rreptë të cilësisë së produkteve që importohen, luftimit të konkurrencës jo-lojale, që të krijohet një treg i favorshëm për bujqit.

“Qeveria duhet të jetë e përkushtuar në përkrahjen e ndërmarrjeve në investime për teknologji të reja, përkrahja e ndërmarrjeve prodhuese në promovimin e produkteve të tyre, etj”, ka thënë Rukiqi. 

Për masat mbrojtëse, ai tha se Oda Ekonomike e Kosovës kërkon që të ketë politikë bërje të matur në raport me efektet e politikave nacionale mbi bizneset vendore dhe konkurueshmërisë së tyre në raport me rajonin.

Driton Havolli prodhues i perimeve nga Resniku i Klinës, thotë se sektori i pemëve dhe perimeve është një sektor i lënë anash nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij politikat aktuale kinse për përkrahjen e fermerëve me subvencione ose grantet për ngritje të serave, ka qenë një hap shumë i gabueshëm.

Kjo sipas tij, ngase kriteret e përcaktuara për grante kanë eliminuar shumë fermerë të vyeshëm.

Këto subvencione ose grante në bujqësi nuk kanë shkuar në vendin e duhur asnjë herë, siç thotë ai, sepse nuk janë përcjellë asnjëherë projektet e financuara nga shteti.

Ai mendon se prodhimet vendor mund të mbrohen, duke u përkrahur drejtpërdrejt lënda e parë, siç është fara, ndërtimi i serave dhe stimulimi në çmimin e derivateve të naftës.

Për masat mbrojtëse, ai thotë se ka qenë i vetëdijshëm që nuk do të jetë i zbatueshëm gjatë.

“Masat mbrojtëse kanë qenë hap i gabueshëm, sepse një tregtarë me anë të një thirrje telefonike kërkon nga autoritetet lirimin e mallit në kufi , andaj, me këtë nuk ka stabilitet. Qeveria duhet ta stimuloj produktin vendor dhe të barazohet me produktin tjetër, që tregtarin me qitë prej loje. Andaj, qeveria nuk është e interesuar në këtë drejtim. Sepse nuk ka kuptim me ardhur një tregtarë prej Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë me produkte më të lira se ato të serës sime. Mirëpo, këto shtete fqinje e kanë përkrahjen dhe stimulimin si fermë të rajonit”, ka thënë Havolli.

Po ashtu ai kërkoi edhe një përkrahje tjetër për një infrastrukturë moderne në sektorin e bujqësisë.  dhe modernizim.

Ndërsa, prodhuesi i perimeve Sejdi Godanci ka kritikuar veprimin e Qeverisë për shfuqizimin e masës mbrojtëse për prodhime vendore.

“Si prodhues i vogël i perimeve dhe i frutave, shumë u pata gëzuar para dhjetë(10) ditëve kur kabineti i Qeverisë mori vendim për mbrojtjen tonë, pra të prodhuesve vendor, kur caktuat taksen shtesë për perimet që hynë në Kosovë. Dhe fillova të mendoj që në këtë vend paska njerëz që po mendojnë edhe për ne, pra për prodhuesit vendor. Por kjo shpresë, gëzim qe kisha m’u shua dje kur mora vesh që kjo taksë qenka hequr nga sot”, ka thënë Godanci .

Ai ia ka kujtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, se ky veprim po të kishte ndodhur në një vend të Evropës, sot do të dilnin në rrugë të gjithë fermerët dhe do ta bllokonin qarkullimin, do të ishin hedhur tonelata perime në rrugët kryesore në shenj proteste.

“Sektori i Bujqësisë është shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik të shtetit, andaj, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta marrë më seriozisht mbështetjen e fermerëve, për të siguruar treg të lirë dhe fer. Importi, vazhdon ta mbytë prodhimin vendor, dhe për këtë duhet të hartohen politika të favorshme për bujqit”, ka thënë Godanci, duke shtuar se produktet e tij janë mjaft cilësore dhe konkurruese me ato të tregut rajonal dhe më gjerë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat