Importi i qumështit nga Bosnja ngulfat prodhuesit vendorë

Ekonomi

Importi i qumështit nga Bosnja ngulfat prodhuesit vendorë

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 13:39
Sekretari i përgjithshëm i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani

Ndonëse vendimi për masat mbrojtëse të qumështit që importohet nga Bosnja dhe Hercegovina është marrë dy muaj më parë, kjo nuk po gjen zbatim pasi ky vendim sipas Ministrisë së Financave duhet të shkojë përmes Qeverisë së Kosovës.

Kështu është thënë në tryezën e Klubit të Prodhuesve, ku është diskutuar për mos zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për masat mbrojtëse të qumështit, i cili importohet nga Bosnja dhe Hercegovina.

Sekretari i përgjithshëm i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani ka thënë se nevoja për masa mbrojtëse për qumështarët është më se e nevojshme, sepse është shqetësuese gjendja në sektorin e industrisë së qumështit.

Osmani: Mos zbatimi i masave shkakton dëme të mëdha

“Çështja e mos zbatimit të këtyre masave ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja, është duke shkaktuar dëme të parikuperueshme në industrinë e qumështit momentalisht, sidomos tash në sezonin e verës. Ne po flasim për një shtet si Bosnja, i cili faktikisht fare nuk ka njohur si shtet dhe praktikon barriera të shumta ndaj produkteve tona atje”, ka thënë Osmani.

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit, Besim Kuqi, ka mirëpritur vendimin e MTI-së për masat e produkteve të qumështit nga Bosnja, por është shprehur i habitur pse kjo nuk po zbatohet nga Dogana e Kosovës.

Ai tha se janë dëmtuar shumë nga mos zbatimi i vendimit, pasi është zvogëluar në masë të madhe prodhimi i qumështit vendorë dhe nuk po arrijnë t’i mbulojnë humbjet.

Kuqi: Nuk kemi produkte të tjera për t’i mbuluar humbjet

“Ne nuk kemi produkte të tjera më të cilat mund t’i mbulojmë humbjet që na shkaktohen në qumësht. Andaj, duhet të ketë kujdes kur i qasemi këtij produkti që është primar. Ne kemi lobuar dhe avokuar një kohë të gjatë kundër importit të pa drejtë të qumështit dhe produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Kuqi. 

Alush Kryeziu, përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se tendenca e rritjes së importit të produkteve të qumështit është në rritje dhe se po ngulfat prodhuesit vendorë, andaj konform kësaj MTI ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e prodhuesve vendor.  

Kryeziu: Kemi konstatuar se po ngulfaten prodhuesit vendorë

“Kjo tendencë rritjes ka vazhduar edhe në tre mujorin e parë të vitit 2018 dhe konform kësaj kemi menduar se është një ngritje e cila ndikon në ngufatjen e prodhimit vendor. Si parametër të dytë nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, kemi ardhur në përfundim që ka filluar një rënie në vitin 2017 për 81 mijë litra, që ka ndikuar ën zvogëlimin e sasisë së prodhimit te qumështi në Kosovë. Si parametër i tretë, ka qenë edhe çmimi i importeve në tregun e brendshëm në Kosovë. Në këtë drejtim kemi ardhur në përfundim në bazë të analizave që kemi bërë, që importi i qumështit nga Bosnja e Hercegovina është me çmim më të ulët se sa importet tjera”, tha Kryeziu.

Këshilltari në Ministrinë e Financave, Lulëzim Rafuna, ka thënë se vendimi i MTI-së ka pasur paqartësi ligjore dhe për këtë arsye Qeveria e Kosovës duhet ta obligojë Doganën për zbatimin ose jo të masës mbrojtëse.

Rafuna: Vendimi të shkojë përmes qeverisë

“Ka pasur një mos qartësim ligjor, tani është qartësuar dhe vendimi i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë duhet të shkojë nëpërmjet Qeverisë në mënyrë që Qeveria ta obligojë Doganën për implementim, për arsye se kemi pasur një rast në vitin 2012 ku ne për shkak të procedurës me vendim të gjykatës kemi qenë të obliguar që qumështarëve pikërisht për këso lloj masash t’ua kthejmë një shumë të madhe, dhe nuk kemi dashur ta përsëritim”, ka thënë Rafuna. 

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se nuk ka kuptim që kjo masë të mos gjejë zbatim për prodhuesit vendorë.

Sejdiu: Është problem mos zbatimi i vendimit

“Nëse Ministria e Tregtisë e ka marrë një vendim nuk ishin dashtë me kalua 60 ditë derisa qeveria e aprovon apo e refuzon atë vendim. Më duket pak problematike që në kuadër të një qeverie, ministri i cili është përgjegjës për politikat tregtare industriale të mos ketë aq forcë e fuqi që një masë të tillë ta zbatoj as për 60 ditë”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa, profesori Muhamet Mustafa ka thënë se situata në sektorin e qumështit nuk është e mirë, pasi që ka zvogëlim të kapaciteteve prodhuese përkundër subvencioneve që jepen në vazhdimësi. Sipas tij, problemet janë te tregtia e lirë.

Edhe Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së qumështarëve të Kosovës, ka thënë se nuk ka asnjë kuptim të pritet dy muaj që të zbatohet një e drejtë për prodhuesit.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat