Bursa e Energjisë aktivizohet në fillim të vitit 2019 - Bota Sot
Bursa e Energjisë aktivizohet në fillim të vitit 2019

Ekonomi

E martë, 17 korrik 2018

Bursa e Energjisë aktivizohet në fillim të vitit 2019

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 15:12
Forumi i Dytë Ndërkombëtar ‘Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës - Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, deklaroi se bursa e përbashkët e energjisë shërben për të vendosur një çmim referent në tregun vendor, i cili mundëson likuiditet më të madh dhe zhvillim të konkurrencës në treg, ndërsa bashkimi me tregut të energjisë Kosovë-Shqipëri ndikon në mirëqenien ekonomike të të dyja vendeve dhe do të sjellë përfitime.

Ai komente i bëri sot gjatë Forumit të Dytë Ndërkombëtar ‘Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës - Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”, që u mbajt në Prishtinë nën organizimin e AlbKonfindustria me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, ndërsa morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sektorit të energjisë, USAID, TKE etj.

Duke folur për këtë procesin Lluka tha se të dyja palët janë duke punuar në implementimin e udhërrëfyesit për integrimin energjetik evropian.

“Janë nënshkruar dy marrëveshje të mirëkuptimit, një në vitin 2014 për integrimin e tregut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe një marrëveshje tjetër është nënshkruar në vitin 2017, për krijimin e bursës energjetike”, tha ai.

Sipas tij, në këtë bursë energjetike do të jetë aksionare, OSHE dhe KOSTT por u lihet  hapësirë edhe operatorëve të tjerë që duan të jenë pjesë e saj. Për këtë është  formuar një grup i përbashkët i cili është duke punuar në aktivizimin e këtij projekti të rëndësishëm për vendin.

Ministri Lluka ka ritheksuar se problemi Serbinë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen për energjinë, po e pamundëson integrimin e tregut të përbashkët me Shqipërinë e po ashtu e pamundëson edhe përfshirjen  e KOSTT-it në bursën shqiptare. Ai paralajmëroi se deri në fund të këtij viti pritet që Kosova të jetë një bllok i pavarur energjetik, ndërsa bursa do të jetë aktive nga fillimi i vitit 2019.

Dorina Cinari, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, tha se me Strategjinë Kombëtare të Energjisë për Shqipërinë 2030 parashihet kahet e zhvillimit të këtij sektori. Sipas saj, kjo strategji parasheh zhvillimin e burimeve kombëtare të energjisë, tregun rajonal të integruar të energjisë, bazuar në parimet e tregut për të përmbushur kërkesën për energji dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke siguruar furnizim të rregullt me energji, mbrojtjen e ambientit dhe rritjen e mirëqenies me kosto minimale sociale.

Hans Arild Bredesen nga Nord Pool Consulting, ka folur për  përparësitë dhe funksionimin e bursës dhe tregut të përbashkët energjetik dhe rolin e entiteteve pjesëmarrëse. Bredesen duke bërë krahasime me tregun e energjisë të vendeve skandinave si Suedia, Norvegjia, tha se sistemet energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, e para të bazuar në thëngjill dhe të dytës në  hidro, mund të plotësojnë njëra-tjetrën dhe sjell përfitime të dyanshme dhe njëkohësisht mundëson qarkullimin e energjisë në treg me çmim sa më të lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test