Së shpejti Iniciativa Japoneze për Ballkanin

Ekonomi

Së shpejti Iniciativa Japoneze për Ballkanin

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 15:54
Pamje nga takimi

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në një takim një delegacion të JICA japoneze, të kryesuar nga drejtori për Evropë dhe Lindje të Mesme Miyazaki Kiyotaka, ku u diskutua për zhvillimet në sektorin ekonomik dhe të financave publike në vend.

Hamza, e falënderoi  Miyazaki për mbështetjen që shteti japonez i ka dhënë Kosovës deri më tani përmes projekteve të ndryshme, si dhe e njoftoi delegacionin japonez edhe me nevojat për investime, prioritetet në sektorët e ekonomisë, dhe veçanërisht në projektet  që ofrojnë zhvillim të qëndrueshëm, e të cilat kanë analizë përkatëse dhe studim fizibiliteti, si dhe janë kompatibile me prioritetet qeveritare. 

Ndërsa, drejtori i JICA për Evropë dhe Lindje të Mesme Miyazaki Kiyotaka, duke njoftuar ministrin Hamza për qëllimin e vizitës, përmendi vizitën e paradokohshme të kryeministrit japonez në Ballkan dhe në këtë kontekst idenë e tij për Iniciativën Japoneze për Ballkanin,  si formë të bashkëpunimit me shtetet ballkanike, dhe në këtë kontekst edhe me Kosovën.

Ai gjithashtu falënderoi ministrin për pritjen, dhe e përgëzoi për të arriturat e deritashme dhe stabilitetin makrofiskal të Kosovës, dhe  shprehi gatishmërinë  për  bashkëpunim në mes dy vendeve në projektet me interes reciprok.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat