Kosova ende pa asnjë investitor strategjik - Bota Sot
Kosova ende pa asnjë investitor strategjik

Ekonomi

E diel, 24 qershor 2018

Kosova ende pa asnjë investitor strategjik

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Edhe pse Ligji për Investime Strategjike është miratuar gati dy vjet më parë në Kuvend, ende nuk ka asnjë investitor strategjik në Kosovë, ndërsa, në Maqedoni vetëm për nëntë muajt e fundit janë nënshkruar 11 kontrata për investime të huaja dhe po negociohet me rreth 200 kompani të tjera.

Për dy vjet, janë vetëm pesë aplikacione, si investitorë strategjik në fushën e energjisë, e të cilët ende nuk janë përzgjedhur nga autoritetet vendore.

Zëvendës ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, ka thënë për kp se deri tash janë pranuar pesë aplikacionet e para, ku pritet sipas tij, shpejt të dalin me emrat konkret për përzgjedhjen e këtyre kompanive për të investuar në Kosovë. 

Mungesën e investitorëve strategjik, Daci e ka arsyetuar me mangësi në ligj.

Daci: Në ligjin e ri për investime strategjike ka pasur disa mangësi

“Arsyeja është se ne ligjin e ri për investime strategjike ka pasur disa mangësi dhe me draftet e shtuara si dhe me lehtësira për qasje në dokumente, kemi ndikuar ndoshta pak të vonohemi me kohë, por përkushtimi ynë është që të kenë sa më shumë lehtësira investitorët potencial”, ka thënë Daci.  

Ai ka shtuar se janë duke analizuar për ligje sa më të mira në vendet e rajonit, veçanërisht me atë të Maqedonisë, ngase sipas tij, ligjet atje janë më të favorshme për investime. 

Daci: Në Maqedoni ligji për investime ka lehtësira jashtëzakonisht të mëdha

“Jemi duke analizuar dhe duke dakorduar për ligje sa më të mira me rajonin. Dihet se në Maqedoni ka mjaft të interesuar dhe ligji për investime ka lehtësira jashtëzakonisht të mëdha për ta, mirëpo ne jemi në rrugë e sipër për t’i përafruar dhe për ta bërë sa më të lehtë për investitorët që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, ka thënë Daci.

Ndërsa, ministri i Diasporës në Maqedoni, Edmond Ademi thotë se Qeveria e Maqedonisë në fund të vitit të kaluar solli Programin për Zhvillim Ekonomik të shtetit dhe në bazë të programit ka miratuar edhe ligjin për përkrahjen e investimeve, ku parlamenti para disa ditësh e ka miratuar ligjin, dhe ai ligj, sipas tij, në krahasim me të kaluarën tani i trajton në nivel të barabartë investitorët e huaj me investitorët e brendshëm dhe investitorët e diasporës.

Ai tha se për herë të parë, me ligj, diasporës i garantohet përkrahje e shtetit për investime, para së gjithash, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. 

Ademi: Kemi nënshkruar rreth 11 kontrata me investitorë të huaj, të njohur

“Në kuptimin e asaj që shteti përveç përkrahjes që merr në bazë të investimit që e ka dhe vendeve të punës që i hap, plus asaj edhe 10 përqind shteti e përkrah në qoftë se personi apo kompania vjen nga përfaqësues të diasporës me prejardhje nga Republika e Maqedonisë, kështu që në një farë mënyre diskriminim pozitiv kundër të tjerëve dhe në drejtim të asaj që t’i motivojmë, shpërbejmë në kuptimin e përkrahjes së qytetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë jashtë… Për 11 muajt e fundit të kësaj qeverie në pozicion, ose nga qershori i vitit të kaluar deri më tani kemi nënshkruar rreth 11 kontrata me investitorë të huaj nga Evropa që janë investitorë të njohur. Për momentin janë në përfundim e sipër edhe 20 marrëveshje për investime të huaja”, tha ministri Ademi.

Ndërkaq, shtoi se të gjithë ministrat e sektorit të ekonomisë janë duke diskutuar dhe negociuar me rreth 200 kompani të huaja që vijnë nga gjithë bota, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test