Infrastruktura e cilësisë, faktor kyç në rritjen e eksportit

Ekonomi

Infrastruktura e cilësisë, faktor kyç në rritjen e eksportit

Më: 29 maj 2018 Në ora: 12:54
“Infrastruktura e Cilësisë: Sigurimi i Rritjes Ekonomike të Qëndrueshme”

Investimet në infrastrukturën e cilësisë në vend janë të domosdoshme për të rritur konkurrencën e sektorit privat në vend dhe për lehtësimin e qasjes së produkteve kosovare në vende të tjera, sidomos në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë “Infrastruktura e Cilësisë: Sigurimi i Rritjes Ekonomike të Qëndrueshme”. 

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, përmendi zhvillimet e fundit që minsitria që ai drejton ka bërë në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës së cilësisë në Kosovë, mes tyre disa projekte të cilat ofrojnë asistencë teknike për prodhuesit vendorë. 

Ai sqaroi se përkrahja që Banka Botërore po i jep kësaj ministrie në fushën e infrastrukturës së cilësisë është tejet e rëndësishme, si një hap që do të ndihmojë bizneset kosovare të kenë një qasje më të lehtë në tregun ndërkombëtar.

Hasani përmendi edhe idenë për krijimin e zonës ekonomike amerikane, si një iniciativë që mund të ndihmojë në nxitjen e investimeve amerikane në vend, dhe rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik në Kosovës. 

Blerta Qerimi, specialiste e Zhvillimit të Sektorit Privat nga Banka Botërore, tha se një ndër pengesat kryesore që bizneset hasin në treg është mosnjohja dhe mungesa e akredimit të produkteve të tyre.

Ajo i njoftoi pjesëmarrësit me iniciativën e Bankës Botërore, gjegjësisht projektin mbi Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë në Eksport, përmes të cilit synohet ulja e kostove të mëdha të bizneseve në testimin e produkteve të tyre.

Qerimi njoftoi bizneset e pranishme se Banka Botërore do të ndihmojë prodhuesit në certifikimin e produkteve të tyre edhe përmes skemave mbështetëse. 

Visar Hapçiu, udhëheqës i Institutit të Hulumtimeve Ekonomike në Odën Amerikane, tha se sipas statistikave të tregtisë së jashtme viteve të fundit shqetësues mbetet deficiti i lartë tregtar.

Ai sqaroi se vlera e eksporteve mbetet shumë e vogël, edhe pse viteve të fundit është parë një trend pozitiv në eksportin e produkteve me vlerë të lartë të shtuar, gjë që shton rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës së cilësisë.

Hapçiu sqaroi se Kosova ballafaqohet me deficit të lartë tregtar edhe sa i përket tregtisë mes shteteve të CEFTA, kjo edhe si mungesë e politikave favorizuese për prodhues pas nënshkrimit të marrëveshjes.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat