OAK: Kuvendi i Kosovës votoi kundër investimeve dhe zhvillimit të vendit

Ekonomi

OAK: Kuvendi i Kosovës votoi kundër investimeve dhe zhvillimit të vendit

Më: 23 maj 2018 Në ora: 12:11
OAK

Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një reagimi, ka shprehur shqetësimin e saj për refuzimin e deputetëve për ndryshimin e projektligjit për shoqëritë tregtare , saktësisht nenit 34, pika 2, duke thënë se dëmton bizneset dhe pengon sjelljen e investitorëve të huaj.

“OAK vlerëson se me këtë nen, se Kuvendi i Kosovës ka shkelur kushtetutën e Republikës së Kosovës, kapitulli 1, neni 10, ku thuhet se: Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Imponimi në gjininë e udhëheqësve në Korporata dëmton rëndë biznesin, kushtetutën e vendit dhe është një pengesë direkte në ardhjen e investimeve të huaja në Kosovë dhe rritjen e punësimit. Ky votim nga ana e Kuvendit të Kosovës më tepër ngjason me vendime të marra në vende komuniste se sa ato kapitaliste dhe tregtisë së lirë, siç është Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e OAK-ut.

Me tutje në reagim thuhet se arsyetimi i sponzorizuesve për rivotim se ligje të tilla ekzistojnë në Gjermani, Itali e shtete tjera, sipas OAK-ut është plotësisht i paqëndrueshëm dhe me tendencë të drejtpërdrejtë të pengimit të investimeve dhe të dëmtimit të korporatave në vend.

“Në disa shtete mund të ekzistojë ndonjë rekomandim i tillë, por jo detyrim që në fillim 40% e pas dy vjetëve 50% e udhëheqjes së bizneseve private t’i takojnë pjesëtarëve të gjinisë së caktuar. OAK kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të reagoj dhe ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës propozimin për ndryshimin e këtij neni. Për dijeni të deputetëve votues të këtij neni, si pasojë e mungesës së ligjeve, mungesës së ofertave të favorshme për investime, mosfunksionimit të gjykatave dhe klimës jo të mirë të të bërit biznes, Kosova vazhdon të mbetet shteti më i varfër në Ballkan me shkallën më të lartë të papunësisë dhe buxhetin më të vogël”, thuhet me tutje në reagim.

OAK-u përmes këtij reagimi ka njoftuar se do t’i përdorë të gjitha mekanizmat e mundshëm në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat