Ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Shqipëri (ICC Albania) organizuan Forumin mbi Integritetin e Korporatës.
Në këtë forum morën pjesë liderë kombëtarë dhe ndërkombëtarë nga biznesi, qeveria dhe shoqëria civile.
Ky aktivitet ofroi një platformë debati, e cila trajtoi bashkëpunimin mes aktorëve të ndryshëm, si një model për të krijuar ndikim mbi sjelljen e përgjegjshme të biznesit.
Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Dewi van de Weerd, nënvizoi nevojën për më shumë iniciativa llogaridhënieje dhe transparence në vend.
“Koalicioni Shqiptar i Biznesit mund të nxisë kompanitë aktive në Shqipëri, qeverinë dhe shoqërinë civile për të ndërmarrë veprime kolektive në luftën kundër korrupsionit”, – tha ambasadorja Dewi van de Weerd.
Kryetari i Bordit Ekzekutiv të ICC Albania, Genc Boga, theksoi në fjalën e tij të hapjes rëndësinë e integritetit të korporatës në ndërtimin e besimit dhe dëshirës së mirë.
“Një debat dhe bashkëpunim i hapur mes aktorëve të sektorit privat dhe atij publik me fokus në integritetin e korporatës do të shërbejë për krijimin e një klime biznesi më të mirë dhe për të përthithur investime të huaja,” – u shpreh Boga./ATSH